Përveç imazhit të mirë, “fundjava angleze” në Prishtinë solli edhe fitime të mëdha për bizneset

Fitim Majkovci 18 November 2019 20:29

Ardhja e turistëve anglezë në Kosovë dhe mobilizimi i kryeqytetit për mikpritje ka bërë që mysafirët nga ishulli të ndihen të kënaqur me qëndrimin në Prishtinë.

Organizimet në sheshe, ambientet e ngrohta mikpritëse në shumë kafene dhe falënderimi ndaj popullit britanik në përgjithësi, sipas qytetarëve, ka treguar një pasqyrë krejt tjetër në krahasim me atë se si e kanë parë të tjerët Kosovën, raporton KTV.

Ambientet shoqërore dhe vendosja e simboleve angleze karshi atyre të Kosovës bënë që shumë anglezë të frekuentojnë kafenetë e qytetit për të shijuar edhe ambientet në vend.

Për pronarët vendas fluksi i madh i vizitorëve u ka ndihmuar shumë edhe në qarkullimin ditor dhe rritjen e të ardhurave për bizneset e tyre më shumë se zakonisht.

Përveç kafeneve lokale, sipas Adrian Berishës nga Komuna e Prishtinës, në saje të vizitës së anglezëve, përfituan edhe shumë biznese të tjera nga kryeqyteti.

Sipas tij, mobilizimi i kryeqytetit për pritjen e miqve ndikoi për të mirë edhe në rritjen e buxhetit të bizneseve më të vogla në vend.

Përpos përfitimit të bizneseve vendore nga përballja me Anglinë, Kosova përfitoi edhe në njohje më të madhe nga kërkues të huaj.

Sipas statistikave kërkimore të “GOOGLE’’, për Kosovën u interesuan shumë persona, në krahasim me ngjarjet e tjera madhore që ndodhën në vend gjatë viteve të fundit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme