Arbëri

Ahmeti thotë se keqpërdorimi i zyrtares komunale të arrestuar sot ishte zbuluar para dy javësh

Foto: Driton Paçarada / KD / ilustrim

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se zyrtarja e arrestuar sot ka qenë punëtore e institucionit që ai udhëheq.

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka thënë se para dy javësh, gjatë një kontrolli të brendshëm në Komunën e Prishtinës, “kemi gjetur se një zyrtare e tatimit në pronë ka lëshuar vërtetime të rrejshme për borxhet e tatimit në pronë”.

“Këto vërtetime kërkohen për të regjistruar makina, dhe natyrisht se lëshimi i rrejshëm i vërtetimeve të tilla është shkelje ligjore. Kam udhëzuar drejtoreshën e financave që zyrtaren ta denoncojë në polici dhe kemi filluar procedurat disiplinore. Si pasojë e denoncimit e njëjta zyrtare sot është shoqëruar në polici për vepër penale”, ka thënë Ahmeti.

Ai thotë se nuk do të tolerojnë shkelje të tilla nga zyrtarët komunalë “pa marr parasysh pozitat e pasojat”.

Policia e Kosovës, gjatë ditës së sotme, njoftoi për arrestimin e zyrtares së Komunës së Prishtinës.

“Pas hetimeve disa javore, hetuesit e NJRHKEK-së kanë ardhur në përfundim se e dyshuara N. D., viti i lindjes 1980, f/k/sh, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka keqpërdorur pozitën e saj. Nga muaji mars deri në tetor 2019, ka lëshuar vërtetime të pagesave të tatimit në pronë pa dëshminë se personat në fjalë janë të liruar nga kjo taksë prej 10 euro (vërtetime për regjistrimin e automjeteve)”, thuhet në komunikatën e Policisë.