Katër milionë euro për ekranet që tregojnë nivelin e ndotjes së ajrit në rajonin e Prishtinës

Fitim Majkovci 25 October 2019 19:30

Kosovarët vazhdojnë të jetojnë në një nga vendet me ajrin më të ndotur në Evropë.

Por, në vend të masave konkrete, të premten, institucionet kanë vendosur monitorë në sheshin “Nënë Tereza” të kryeqytetit, ku qytetarët do të mund ta shohin cilësinë e ajrit.

Monitorët që shërbejnë për publikimin e të dhënave të cilësisë së ajrit në Prishtinë janë donacion nga Agjencioni Japonez për Bashkëpunim Ndërkombëtar, për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Me këtë, sipas ministrit në detyrë të Mjedisit, Fatmir Matoshi, po tentohet vetëdijësimi i qytetarëve.

E përfaqësuesi i Agjencionit japonez për ballkan, Jiro Takeichi, u shpreh i lumtur për vendosjen e këtyre monitorëve në qendër të qytetit.

Ndërsa, drejtoresha e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Letafete Latifi, tha se monitorët janë të vendosur në katër pikat kryesore ku qarkullojnë më së shumti qytetarët.

Vlera e këtij projekti arrin shifrën e katër milionë eurove, derisa Prishtina është testimi i parë i tyre.

Përpos Prishtinës, monitorë të tillë pritet të vendosen edhe në qytete të tjera, sidomos në Obiliq, ku ndotja e ajrit është mjaft e lartë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme