Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

OJQ-të kritikojnë OSHP-në për rrethrrotullimin në Lakrishtë

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) nuk i ka dhënë të drejtë komunës ë Prishtinës, përkatësisht shefit të prokurimit, për të refuzuar një tender që në disa pozicione kishte çmime jo-normalisht të ulëta.

OSHP-ja e ka obliguar komunën e Prishtinës që të rivlerësojë ofertën e kompanisë “RSM”, duke e udhëzuar që t’i merr parasysh vetëm njërën pjesë të nenit 3 të Rregullave për Çmimet Jo Normalisht të Ulëta dhe të injorohet neni pasues, ai 4, i cili parasheh çmimi jonormalisht të ulëta që vijnë nëpër pozicione dhe jo në ofertën totale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kështu u tha me rastin e prezantimit të të gjeturave që Lëvizja FOL, Çohu, INPO, Instituti Columbus dhe Open Data Kosovo, kanë hasur në procesin tenderues të projektit “Rreth rrotullimi i Lakrishtës”.

Elbasan Racaj nga Lëvizja Fol tha se OSHP-ja bazuar në vendimin që e ka marrë për tenderin 1 milionë e 149 mijë euro, ka keqinterpretuar rregullën për çmime jo-normalisht të ulëta.

Sipas tij, ky vendim i OSHP-së e bënë të pavlerë rregulloren e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

“OSHP nuk po i merr për bazë çmimet jo-normalisht të ulëta për pozicionet e tenderit ashtu siç kërkohet nga rregulla për çmime jo-normalisht të ulëta. Siç e dini nganjëherë çmimet jo-normalisht të ulëta përdoren për manipulimin e ofertës finale, përkatësisht shpesh na pamundësojnë që ta dimë edhe koston reale të tenderëve... Konsiderojmë se OSHP-ja ka keqinterpretuar rregullën për çmime jo-normalisht të ulëta dhe në këtë mënyrë i ka pamundësuar autoritetit kontraktues që të detektojë nëse ka pasur mashtrime gjatë ofertës”, tha ai, raporton kosovapress.

Paulina Behluli nga “Open Data Kosova” tha se në fazën e parë ishin parakualifikuar 6 operatorë ekonomik, nga 12 sa kishin aplikuar. Teksa shtoi se vetëm 5 operatorë ekonomik kishin dorëzuar ofertat financiare: RSM, Rukolli Company, Gashi ING&KAG Asphalt, Fami-Co dhe Drini-Company.

Ajo bëri të ditur se Komisioni Vlerësues e kishte rekomanduar për kontratë kompaninë RSM, e cila kishte ofertuar 1 milionë e 149 mijë e 998 euro, pasi për këtë komision siç tha ajo, shpjegimet e dhëna nga kjo kompani për pozicionet që është dyshuar për çmime jo-normalisht të ulëta, kishin qenë bindëse dhe të mjaftueshme. Teksa tha se udhëheqësi i Departamentit të Prokurimit në komunën e Prishtinës, Zekë Bardhaj, nuk e ka miratuar raportin e këtij komisioni.

E në vendimin e OSHP-së siç tha ajo, është injoruar fakti që pozicionet e caktuara të ofertës kanë pasur çmime jo-normalisht të ulëta, sipas Zyrtarit Përgjegjës të Prokurimit.

“Udhëheqësi i Departamentit të Prokurimit në komunën e Prishtinës, z. Zekë Bardhaj, nuk e ka miratuar raportin e Komisionit Vlerësues, që e rekomandonte për kontratë kompaninë RSM. Ai ka vlerësuar se disa pozicione të kompanisë RSM janë me çmime jo-normalisht të ulëta. Një çmim jo-normalisht i ulët sipas tij, ishte çmimi i gërmimit të kategorisë 3 dhe 4 për 0.80 euro, ndërsa bazuar në çmimin referent të KRPP do të ishte rreth 4 euro. Ndërsa vet çmimi i dhënë në parallogarinë e Njësisë së Kërkesës është 2.50 euro... Udhëheqësi i Prokurimit në Prishtinë e ka eliminuar nga gara kompaninë RSM dhe ka rekomanduar kompaninë R&M për kontratë”, tha ajo.

Ajo shtoi se në vendimin e OSHP-së është injoruar fakti që pozicionet e caktuara të ofertës kanë pasur çmime jo-normalisht të ulëta, sipas zyrtarit përgjegjës të Prokurimit.

E rekomandimet e organizatave jo-qeveritare i bëri të ditura Leonida Molliqaj nga Çohu.

“Ne si organizata jo-qeveritare rekomandojmë që KRPP të amandamentojë ‘Rregullat për Çmime Jo-normalisht të Ulëta’, pasi amandamentimi i saj është bërë i obligueshëm pas vendimit të OSHP-së. Gjithashtu, ne rekomandojmë që në rregulloren e re duhet të specifikohet saktë nëse çmimi jo-normalisht i ulët mund të konsiderohet edhe për pozicione dhe jo vetëm për çmimin total”, tha Molliqaj.

Ndryshe, raporti i monitorimit të aktivitetit të prokurimit “Rreth rrotullimi Lakrishtë, Rrethrrotullimi Arbëri” është hartuar nga pjesëmarrësit e organizatave jo-qeveritare të rajonit të Prishtinës.