Banorët e një kompleksi banesor në “Bregun e Diellit” në Prishtinë, që kanë mbetur të izoluar pa asnjë rrugë për dalje nga kompleksi, kanë bllokuar rrugën kryesore në këtë lagje të mërkurën pasdite.
Ata kanë dalë në rrugë në shenjë revolte për mosgjetjen e një zgjidhjeje për ta, duke shkaktuar kolonë të gjatë edhe në “Rrugën B”.
Izolohen 120 familje në Prishtinë, banesat u shitën pa siguruar qasje në rrugë
Ditë më parë, KTV raportoi se rreth 120 familje të këtij kompleksi banesor në pjesën e pasme të kompleksit nuk kanë rrugë, e rruga e pashtruar të cilën e shfrytëzonin për t’u lidhur me “Rrugën B”, kalon përmes parcelës së një pronari tjetër privat, i cili, sipas banorëve, nuk dëshiron që prona e tij të shfrytëzohet si rrugë.
Ata kishin protestuar edhe të premten pasdite, në kërkim të një zgjidhjeje nga Komuna e Prishtinës, të cilën e akuzojnë se ka lëshuar leje ndërtimi për kompleksin ku jetojnë pa i ofruar qasje në rrugë. Banorët i kishin vënë ultimatum komunës t’u ofrojë zgjidhje brenda javës.
Në një përgjigje të shkurtër përmes telefonit, drejtori i Investimeve Kapitale në këtë komunë, Gëzim Mehmeti, kishte thënë se i kupton shqetësimet e banorëve, por për shkak të vjetërsisë dhe ndërlikueshmërisë së rastit, zgjidhja nuk mund të bëhet brenda ditës.