Dëmtimi i gypit lë pa ujë disa lagje në Prishtinë

Fitim Majkovci 21 September 2019 19:26

Me mungesë të ujit e kanë kaluar pjesën më të madhe të së shtunës, lagjet që furnizohen me ujë nga liqeni i Badocit.

Kjo pasi një gyp furnizues fi 200 mm u dëmtua nga një investitor privat në Hajvali , në pjesën ku do të ndërtohet objekti i Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave.

Në këtë pjesë, punëkryesit privatë kanë dëmtuar gypin e ujit që lidhë zonat - Graçanicë, Çagllavicë, Hajvali, lagjen ‘’Veterniku’’ dhe disa pjesë të tjera.

Jo të pakta kanë qenë rastet gjatë muajve të fundit kur janë dëmtuar gypa të ujit në lagjet e kryeqytetit.

Dy herë një problem i ngjashëm kishte ndodhur edhe pranë Pallatit të Drejtësisë, që kishte rezultuar me arrestim të 3 inspektorëve të Komunës së Prishtinës dhe të investitorit në objektin kolektiv.

Të shtunën, inspektorët e Komunës së Prishtinës thonë se kanë dalë menjëherë në vend të ngjarjes.

‘’Inspektorët kujdestarë kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se punimet janë zhvilluar sipas lejes ndërtimore. Mirëpo, mungesa e informatave të sakta për rrjetin e mëhershëm të gypave të ujësjellësit ka bërë që leja dhe piketimi të lëshohen pa e ditur që ka gyp të tillë brenda asaj sipërfaqeje’’, ka thënë Adonis Tahiri, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës.

Ndërkaq, Ilir Abdullahu, kryeshef i ujësjellësit rajonal “Prishtina”, kërkon bashkëpunim nga ndërtuesit.

Si rezultat i ndërtimeve të shumta në të gjitha pjesët e qytetit dhe të periferisë, ne po ballafaqohemi me dëmtime të shpeshta të tubacioneve e, si rezultat i këtyre dëmtimeve, shumë zona po mbesin pa ujë me orë të tëra. Apelojmë që para çdo fillimi të punimeve të njoftohet ujësjellësi, që të mos vini deri te dëmtimet e tubacioneve...’’, ka thënë Ilir Abdullahu, kryeshef, K.R.U Prishtina

E inspektorati komunal ka thënë se i ka ndërprerë punimet në këtë pjesë derisa drejtoria e urbanizimit ta ndryshojë vendin për piketim.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme