Arbëri

Këshilli i Prindërve të Prishtinë kërkon që ekskursionet jashtë vendit të ndalohen ose të riorganizohen

Kryesia e Këshillit të Prindërve e Prishtinës, është deklaruar gjatë vitit të kaluar shkollor (2018-2019), se është kundër mënyrës se si po organizoheshin dhe realizoheshin ekskursionet disa ditore jashtë Kosovës të nxënësve të shkollave të mesme.

Përmes një komunikate për media kjo Kryesi bën të ditur në ato aktivitete, sikurse është dëshmuar edhe me raporte vizuale të mediave, nxënësit ishin lënë pa mbikëqyrje të duhur por edhe kishin konsumuar (dhe ekspozuar) alkool dhe substanca të tjera, transmeton Koha.net.

“Pikërisht për këto arsye, pra që shëndeti dhe siguria e fëmijëve tanë të mos jetë asnjëherë e cenuar, kemi kërkuar që ekskursionet jashtë vendit ose të ndalohen krejtësisht ose të riorganizohen. Është për t’u vlerësuar fakti se DKA e Prishtinës është duke u angazhuar seriozisht në organizimin dhe mbikëqyrjen më të mirë të tyre, dhe aktualisht ky proces është rregulluar me një itinerar të paracaktuar, me marrëveshjen që kujdestari dhe prindërit duhet ta nënshkruajnë, si dhe DKA është zotuar për dërgim të kujdestarëve dhe mbikëqyrësve gjatë ekskursioneve. Po ashtu është duke u komunikuar edhe me televizionin publik që ky proces të mund të vëzhgohet edhe nga media. Në këtë pikë, KP e Prishtinës do të jetë e gatshme të kontribuojë në mbikëqyrjen e këtij aktiviteti”, thuhet në komunikatë.

Njëkohësisht, meqë procesi i përzgjedhjes së operatorëve që kryejnë vizitat (pra akomodimin dhe transportin) e nxënësve të shkollave të mesme sapo ka filluar, Kryesia e Këshillit të Prindërve i apelon të gjithë prindërve nëpër strukturat e shkollave të mesme (Këshilla Drejtues dhe Këshilla të Prindërve) që të angazhohen maksimalisht në procesin e përzgjedhjes së operatorëve ekonomikë, por edhe të synojnë vendosjen e kritereve sa më të rrepta që mbrojnë shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve tanë. Nuk duhet harruar se askush nuk është më i interesuar sesa prindërit për sigurinë dhe jetën e fëmijëve të tyre!

Po ashtu, duam t’ju drejtohemi drejtorëve të shkollave të mesme, mbi të cilët më së shumti bie barra e përgjegjësisë. Ju lutemi që përparësi rrënjësore në këtë proces të ketë siguria e fëmijëve tanë. Edukimi dhe arsimimi i tyre zhvlerësohet krejtësisht nëse ata ekspozohen ndaj rreziqeve që mund të dëmtojnë shëndetin fizik e mendor.

“Krejt në fund, apelojmë tek operatorët ekonomikë. Biznesi është shumë i rëndësishëm, për ju dhe për vendin. Por ju mbani përgjegjësi ligjore dhe sociale ndaj fëmijëve tanë, të cilët në mirëbesim (dhe me mbikëqyrje) ua lemë nën kujdes”, thuhet në komunikatë.