Komuna e Prishtinës subjekteve politike: Gjoba nëse ndotni ambientin me fletushka Foto: Koha / ilustrim

Komuna e Prishtinës subjekteve politike: Gjoba nëse ndotni ambientin me fletushka

17 September 2019 09:55

Komuna e Prishtinës ka kërkuar vëmendjen e partive politike, se do t’i gjobisë në rast se prej nesër hasin fletushka nëpër hyrjet e objekteve kolektive, njëjtë siç vepron për fletushkat e bizneseve.

Drejtori i Inspeksionit, Adonis Tahiri, tha se kanë pranuar një varg ankesash nga qytetarët për shpërndarje të fletushkave të subjekteve politike nëpër objektet kolektive.

Ai theksoi se shpërndarja e fletushkave nëpër makina, shtëpi, hyrje kolektive, e gjetiu, është e ndaluar dhe cilësohet si ndotje e mjedisit.

“Subjektet që tashmë e kanë bërë këtë veprim, obligohen që brenda ditës t'i pastrojnë të gjitha lokacionet. Në të kundërtën, nga nesër datë 18 shtator, kudo që hasim në fletushka të tilla, do ta zbatojmë Udhëzimin Administrativ për Gjobat Mandatore, njësoj sikur për fletushkat e bizneseve. Pra, nga 90 euro gjobë për secilin lokacion veturë, shtëpi dhe kat banese”, tha Tahiri.

Ai shtoi se të gjitha gjobat do të publikohen ashtu që të shihet hipokrizia e atyre që nëpër debate zgjedhore flasin për ruajtjen e mjedisit, e në praktikë e ndotin mjedisin.

“Nuk do të ketë tolerime për askënd, as për subjektin që unë i përkas, nëse e bën të njëjtën shkelje. Ekipet e Inspekcionit, në bashkëpunim me qytetarët e Prishtinës, do të angazhohen maksimalisht për mjedis sa më të pastër edhe gjatë fushatës”, vijoi ai.

Tahiri tha se qytetarët mund të thërrasin në numrin pa pagesë 080012233.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme