KDI thotë se Prishtina renditet në mesin e gjashtë kryeqyteteve më transparente në Evropë

KDI thotë se Prishtina renditet në mesin e gjashtë kryeqyteteve më transparente në Evropë

20 August 2019 14:01

Instituti Demokratik i Kosovës ka shpalosur të gjeturat e hulumtimit mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku ka dalë që Prishtina është një prej kryeqyteteve shembuj për transparencë.

Sipas njoftimit, dega e Transparency International në Sllovaki, ka publikuar sot rezultatet e matjes së transparencës për 26 kryeqytetet evropiane.

“Ky studim hulumton dhe krahason qasjen e qytetarëve të këtyre qendrave evropiane në informacione publike. Në mënyrë të veçantë analizon se cilat informacione, qeveritë e këtyre kryeqyteteve i bëjnë të disponueshme për qytetarët, si i marrin vendimet, si i shpenzojnë paratë e taksapaguesve dhe cilat rregulla kanë në dispozicion për të parandaluar sjelljet korruptive”, thuhet në kumtesën për media.

Sipas tyre, matja është realizuar në dhjetor të vitit 2018 dhe është e bazuar në gjithsej 14 indikatorë. Rezultatet e matjeve e radhisin Prishtinën në kategorinë e kryeqyteteve që kanë përmbushur së paku 75% të pikëve maksimale.

KDI thotë se gjetjet tregojnë që ueb faqet e kryeqyteteve Vilnius dhe Pragë ofrojnë qasje shume të lehtë në informatat lidhur me prokurimin publik. Ndonëse nëntë kryeqytete publikojnë kontratat e prokurimit në ueb faqet e tyre, asnjë nga këto kontrata nuk janë të publikuara në format të qasshëm për shfrytëzim nga qytetarët.

“Prishtina dhe Oslo tregojnë praktika të mira të publikimit të buxhetit dhe raporteve të shpenzimeve në format të redaktueshëm (format i të dhënave të hapura). Ndërsa Stokholmi përbën shembullin më të mirë të prezantimit të planifikimeve dhe shpenzimeve buxhetore dhe atë krejtësisht në mënyrë të lehtë dhe të kuptueshme, me infografika e artikuj.Përderisa nëntë kryeqytete kishin kthyer përgjigje në kërkesën për qasje në dokumente publike, 15 nuk ishin përgjigjur fare, ndërsa dy kishin kthyer përgjigje të pjesshme”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas tyre, Tallinn publikon kontaktet e plota të asamblistëve komunal dhe i lidh ato me informacione të tjera që mund të jenë të dobishme për qytetarët. Megjithatë, sipas tyre, Londra ka shkuar edhe më tej dhe ka përgatitur një mënyrë pothuajse të përsosur të prezantimit të të zgjedhurve para publikut.

“Në një ueb faqe moderne mund të gjenden kontakt informatat për secilin anëtar të këshillit të qytetit, të ardhurat e tyre vjetore, transkriptet e mbledhjeve dhe lista e dhuratave të marra - p.sh. një darkë e paguar, një shishe verë ose bileta tenisi. Një shembull i praktikave transparente të punës është qyteti i Berlinit, i cili publikon paraprakisht të gjitha mbledhjet e punës, kalendarin e punës dhe takimeve të kryetarit të komunës për tërë javën”, thuhet në kumtesë.

KDI thotë se përderisa vetëm pesë kryeqytete publikojnë deklarimet e pasurisë së anëtarëve të asamblesë komunale në ueb faqe (ku në mesin e tyre është edhe Prishtina), këshilli i qytetit të Madridit publikon edhe CV-të e anëtarëve të asamblesë, të dhëna për kualifikimin akademik të tyre, nivelin e zotërimit të gjuhëve të huaja, një përmbledhje të karrierës së tyre të mëparshme, dhe deklaratën e pasurisë - përfshirë të dhënat nga raportet e tatimeve.

Ky hulumtim, thonë ata, gjithashtu tregon se 22 nga 26 kryeqytetet kanë të publikuara procesverbalet e seancave. Në këtë matje, në krye të listës është Amsterdam me një sistem arkivi të qartë dhe miqësor. Ndërsa, sa i përket publikimit të shënimeve individuale të votimit, vetëm 11 kryeqytete e bëjnë atë. Prishtina nuk është në mesin e tyre.

“Një shqetësim është ngritur lidhur me regjistrin e lobimit, ku vetëm një (Madrid) nga 26 kryeqytetet e matura e publikon atë. Ky hulumtim ka gjetur se shumë shtete, e në mesin e tyre edhe Kosova, nuk kanë ligje për rregullimin e lobimit. Kodi i Sjelljes së Prishtinës është botuar në një mënyrë më të përmbledhur në tre gjuhë (shqip, serbisht dhe anglisht). Përderisa vetëm 12 nga 26 kryeqytetet e matura kanë kthyer përgjigje pozitive në kërkesën për qasje në të dhënat lidhur me pagat e kryetarit dhe asamblistëve”, thuhet në njoftim.

Diana Metushi-Krasniqi, menaxhere e projekteve në KDI, tha se konkluzionet e përgjithshme flasin që kryeqytetet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u ofrojnë qytetarëve më shumë qasje në informacion sesa kryeqytetet e vendeve jo anëtare.

Më tutje, aso shtoi se “Vendet e Evropës Lindore i japin më shumë rëndësi transparencës se sa vendet me demokraci të konsoliduar dhe po tentojnë t’a adresojnë korrupsionin e thellë përmes politikave pro-transparente. Prishtina, Praga dhe Vilniusi janë shembuj të kësaj”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

arber21/08/2019 10:31

RRENA-GENJESHTRA-MASHTRIM

Shto koment

Të ngjashme