Prishtina vërshohet pas reshjeve, KRU Prishtina hedh faj te Komuna për gjendjen aktuale Foto: Ilustrim/Koha

Komuna e Prishtinës hedh fajin te KRU Prishtina për sanimin dhe mirëmbajtjen e kanalizimeve

10 July 2019 11:26
17:02

Komuna e Prishtinës i është kundërpërgjigjur KRU “Prishtinës” për ujërat e zeza që kanë vërshuar qytetin pas të reshurave të mëdha.

E pas vërshimeve të mëdha KRU Prishtina ka hedhur fajin te Komuna për gjendjen kaotike me kanalizimet që janë të vjetra, e sipas saj komuna nuk ka bërë ndonjë zgjidhje për këtë problem.

Por një gjë të tillë e mohon Komuna e Prishtinës, që thotë se është duke punuar në shtrirjen e kanalizimit në pjesë të ndryshme të Prishtinës.

“Deklaratat e KRU “Prishtina” rreth investimeve në sistemin e rrjetit të kanalizimit nuk qëndrojnë fare. Komuna e Prishtinës është duke i realizuar të gjitha projektet e investimeve kapitale për vitin 2019 në shtrirjen e rrjetit të kanalizimit fekal dhe atmosferik nën pjesë të ndryshme të Prishtinës”, thuhet në komunikatë.

Komuna numëron vendet në të cilat po punohet në këtë aspekt:

Rruga “Gazmend Zajmi”, “Ali Pashë Tepelena” dhe “Karl Gega” – 778.000 euro.

Lagja “Pejton” – 500.000 eur

Lagja “Sofali” – 1 milion euro

Rruga “Llapi” – 207.000 eur

Lagja “Kolovica” – 205.000 eur

Rruga “Shkelzen Haradinaj” në Kolovicë – 350.000 eur

Lagja “Taslixhe” – 300.000 eur

Rruga “Hasan Remniku” – 150.000 eur

Lagja “Kalabria” – 150.000 eur

Lagja “Bregu I Diellit” – 200.000 eur

Lagja “Prishtina e Re” – 320.000 eur

Lagja “Qëndresa” – 350.000 eur

Lagja “Hajvalia” – 800.000 eur

Sanimi dhe mirëmbajtja e kanalizimit fekal është kompetencë e KRU “Prishtina” dhe për këto shërbime kjo kompani inkason të hyra çdo muaj nga qytetarët e Prishtinës. Për më tepër, Komuna e Prishtinës nuk jep leje për kyçje në rrjetin e kanalizimit në territorin e Prishtinës pa pëlqimin paraprak nga KRU “Prishtina”.

11:26

Prishtina vërshohet pas reshjeve, KRU Prishtina hedh faj te Komuna për gjendjen aktuale

Linjat e Kanalizimit (ujërat fekale) në Prishtinë janë në shumicë linja të vjetra, të cilat janë dimensionuar dhe vendosur shumë kohë më përpara. Kështu thonë KRU Prishtina, në një komunikatë për media, ku theksojnë se sistemet e kanalizimeve janë të përbashkëta ( Atmosferike dhe Fekale) dhe kjo e rëndon dukshëm gjendjen e funksionimit në rastet kur ka reshje të vrullshme apo të shumta shiu.

“Përderisa Prishtina pothuajse në çdo lagje ka pësuar ndryshime në ndërtime të larta – objekte banesore – rritje e tejskajshme e numrit të banorëve, është dashtë që Komuna e Prishtinës të intervenoj edhe në infrastrukturën ekzistuese gjë që nuk është bërë prandaj, kjo me automatizëm ndikon në ngarkesë më të madhe shkarkuese të sistemit të kanalizimit dhe përmbytje në shumë lokacione brenda qytetit”, thuhet në komunikatë.

Tutje, theksohet se Ujësjellësi i Prishtinës ka një buxhet të paraparë për investime (riparim, puseta , debllokime) në këtë sektor, gjithsesi ka edhe ekipet profesionale që merren me mirëmbajtjen e sistemeve të kanalizimeve të ujërave të ndotura fekale por assesi nuk mirëmban as nuk ndërton rrjeta të kanalizimeve atmosferike pasi që kjo përgjegjësi i takon vetëm Komunës së Prishtinës për rajonin që e mbulon.

“Me Komunën e Prishtinës jemi në kontakte rreth këtyre çështjeve, konkretisht me drejtorinë për Investime Kapitale, ku në disa raste janë bashkërenduar veprimet për zgjidhje të disa rasteve më problematike. Në bazë të takimeve që kishim kohë më parë me përfaqësuesit e tyre, na është konfirmuar që për këtë vit, nuk kanë më shumë linja buxhetore për investime në ndërrime rrjetash të kanalizimeve por bashkërisht do të ulemi dhe do i trajtojmë projektet për vitin vijues, me qëllim që të japim një zgjidhje sa më të mirë për problemet me vërshime qe janë shpeshtuar pas reshjeve te shumta gjatë këtij muaji. Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të kanalizimit të KRU,,Prishtina,, sh.a. janë të gatshëm çdoherë që t’u dalin në ndihmë qytetarëve në rastet kur kemi të bëjmë me zhbllokime të pusetave të ujërave fekale, por duhet të kihet parasysh që vërshimet pas reshjeve nuk ndodhin për shkak të punës dhe përgjegjësisë tonë”, thuhet tutje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme