Arbëri

Zyrtarët e Prishtinës me pasuri e vetura luksoze

Pasuri të paluajtshme e vetura të shumta kanë zyrtarët komunalë të Prishtinës.

Bashkë me udhëheqësit në Komunë, në deklarim të pasurisë janë përfshirë edhe ndërmarrjet komunale. Udhëheqësit e tyre rangohen lart me paga të larta e pasuri të tjera.

Pa asnjë pronë në emër të tij është deklaruar edhe këtë vit kryetari, Shpend Ahmeti. Ai vazhdon të deklarojë se shtëpia në lagjen private Nic në Çagllavicë të Graçanicës i përket vëllait të tij.

Ai ka ende veturën e njëjtë sikurse kur e mori mandatin, derisa në bankë të kursyera ka 4 mijë e 200 euro.

Por njeriu i dytë në Komunën e Prishtinës, Selim Pacolli, ka 47 mijë euro të ruajtura, 45 mijë prej të cilave në një bankë në Zvicër.

Pacolli, përveç pagës në Komunë, që është 829 euro në muaj, merr edhe 11 mijë franga zvicerane, pagë mujore nga Mabco Constructions, raporton “038” i KTV-së.

Përveç shumë pronave të paluajtshme, Pacolli ka në emrin e tij 5 vetura luksoze.

Më e shtrenjta nga to është një e llojit Mercedes, prej 110 mijë eurosh.

Shumë vetura në emër të tij, 9 sosh, ka edhe kryeshefi i ndërmarrjes publike Stacioni i Autobusëve, Luan Hoti.

Hoti ka pagë më të madhe se Ahmeti e Pacolli, me 1362 euro në muaj.

1.260 euro në muaj merr edhe Isak Rakovica, që e udhëheq ndërmarrjen Hortikultura në kryeqytet. Rakovica ka të ruajtura nëpër banka në vend mbi 20 mijë euro.

Pagën më të lartë e ka Hajdar Hoxhaj, i ndërmarrjes publike banesore, me 1.380 euro në muaj.

Por ka drejtorë komunalë, të cilët përveç investimit në shtëpi e vetura, kanë edhe orë dore që kushtojnë shumë.

Gëzim Mehmeti, që udhëheq investimet kapitale, ka deklaruar se posedon orë rolex në vlerë prej 8.500 eurosh si dhe orë tjetër në vlerë prej 11 mijë eurosh. Ai ruan në një bankë në Berlin të Gjermanisë 42 mijë euro.

Ndërkaq, Blerand Stavileci, që udhëheq këshilltarët komunalë të PDK-së, posedon veturë që vlen 30 mijë euro si dhe përveç pagës prej 195 euro në Kuvendin Komunal të Prishtinës, merr në vit edhe mbi 20 mijë euro si shef i stafit në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa Vlora Dumoshi e LDK-së ka vazhduar gjatë vitit 2018 të marrë rrogë nga Qeveria e Kosovës si dhe pagën e ish-ministres së Kulturës.