Arbëri

Granit Xhaka vs Milot Rashica, ndeshja miqësore për Ditën e Çlirimit të Prishtinës

Foto: Ilustrim

Me 15 qershor në Prishtinë do të zbarkojnë yjet shqiptare të futbollit, Granit Xhaka dhe Milot Rashica, për të zhvilluar një ndeshje miqësore për nder të 20-vjetorit të çlirimit të kryeqytetit.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një konference për media, ku njoftoi për të gjitha aktivitetet që do të mbahen në muajin qershor për 20 vjetorin e çlirimit të Prishtinës.

Të gjitha këto, Ahmeti tha se pritet t’i kushtojnë komunës rreth 300 mijë euro.

“Përgjatë muajit qershor do të ketë në vete 20 aktivitete për 20 vite liri. Do të ketë për të gjithë diçka interesante. Ndoshta ky është organizimi më i madh që e kemi bërë si komunë”, tha Ahmeti, raporton Kosovapress.

I pari i kryeqytetit i bëri të ditura të gjitha aktivitetet që pritet të organizohen gjatë muajit qershor.

“Prishtina feston, që fillon me 1 qershor dita e fëmijëve me gara të ndryshme. Panairi i librit, për herë të parë komuna mbështet financiarisht dukshëm më shumë. Aktiviteti tjetër është festivali i valleve, maratona e Gërmisë dhe me 12 qershor organizohet koncerti i Gjurmëve”, tha ai

Ahmeti mes tjerash po ashtu njoftoi se më 15 qershor do të organizohet loja e futbollit mes yjeve, Granit Xhaka vs Milot Rashica.