Arbëri

Kryeqyteti i ngre bust Albrightit, ajo pritet të vizitojë Kosovën në 20 vjetorin e çlirimit të Prishtinës

Ndonëse jo në gjendje të mirë, shtatorja e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, qëndron në qendër të Prishtinës, si shenjë falënderimi për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës nga Serbia.

Kryeqytetit do t’i shtohet edhe busti i bashkëpunëtores së Clintonit, ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, cila po ashtu, ka ndihmuar kosovarët ta fitojnë lirinë.

Busti do të vendoset në sheshin që mban emrin e saj, pranë monumentit “New Born”. Aty tashmë është vendosur bazamenti i bustit. Presidenca e Kosovës ka nënshkruar kontratë prej 19 mijë e 788 eurosh me kompaninë “Artiko”, për realizimin e këtij busti.

Por, Presidenca megjithatë nuk mundi të konfirmonte nëse Albright do të jetë në Prishtinë më 12 qershor. Florent Rrahmani, anëtar i ekipit për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit, shtoi se Presidenca ende nuk ka marrë konfirmim për këtë, edhe pse ftesa u janë dërguar disa personaliteteve ndërkombëtare.

Ndërkaq, informata thonë se nuk kanë as në Komunën e Prishtinës.

Megjithatë, mësohet se busti pritet të përurohet më 12 qershor, në 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës.

Por, për vizitën e Albrightit në Twitter ka shkruar Petrit Selimi, koordinator për Sfidën e Mijëvjeçarit në Kosovë.

“Kosovarët do të jenë të lumtur ta mirëpresin sërish ish-sekretaren amerikane Madeleine Albright, për 20-vjetorin e çlirimit”, ka thënë Petrit Selimi, Koordinator për Sfidën e Mijëvjeçarit në Kosovë..

Derisa e vlerësojnë si të çmuar kontributin e amerikanes, qytetarët mirëpresin vendosjen e bustit të saj.

Albright ishte gruaja e parë në postin e sekretares së Shtetit të SHBA-së. Në këtë detyrë, ajo ka shërbyer nga viti 1997 deri më 2010.