Arbëri

Komuna e Prishtinës ua paguan qiratë familjeve që jetojnë në kushte të vështira

Drejtori i Shërbimeve Sociale në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, ka folur për projektet që do të realizohen brenda këtij viti.

Duke folur në emisionin 038 të KTV-së rreth familjeve që jetojnë në shtëpi të dëmtuara dhe që rrezikojnë të shemben, Kukaj tha se për këtë kategori kanë vendosur që t’ua paguajnë qiratë nëpër objekte më të sigurta.

“Zgjidhja për familjet e rrezikuara është subvencionimi i qirave derisa të bëjmë një zgjidhje më të përhershme. Familjet që rrezikohen për shkak të kushteve të vështira të hapësirave ku jetojnë, t’i nxjerrim prej aty dhe t’i sistemojmë në objekte të ndryshme ku ata i marrim me qira dhe pastaj ne i subvencionojmë. Këtë po e bëjmë nga linja buxhetore e subvencioneve. Ndonëse ka shumë kategori të ndjeshme që marrin të holla nga ne, ne e kemi shpallur këtë grup që të jetë prioritet i prioriteteve”, tha Kukaj, raporton Koha.net.

Ai foli edhe për projektin e banimit social, i cili tha se praktika e deritanishme e ndërtesave sociale i ka getoizuar këto familje.

“Modeli ynë nuk përfshin më geto. Ne do të japim tokën në këmbim të banesave. Kjo procedurë do të shkojë me konkurs. Po shohim mundësinë që me paratë e lejeve ndërtimore të krijojmë një fond që t’i shfrytëzojmë për familjet me asistencë sociale për qira deri në sigurimin e banimit të përhershëm”, theksoi ai.

“Kriteret do të jenë të nevojës e jo të meritës”, u shpreh Kukaj.

Tutje, ai foli edhe për projektin e banimit me kosto të përballueshme, projekt i cili tha se do të ndërtohet në Bërnicë të Prishtinës.

“Ky projekt do të bëhet sepse kostoja aktuale është e papërballueshme matematikisht për shumicën. Skema e banimit të përballueshëm do të synojë ata banorë me të hyra të mesme, ndërsa banimi social për kategoritë e varfra”, potencoi Kukaj.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës foli edhe për projektet e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), e cila tha se sivjet ka disa projekte.

Ndër to janë renovimi i hyrjeve të vjetra kolektive të cilat tha se s’janë rinovuar asnjëherë që nga ndërtimi.

“Projekti i dytë është banimi i përballueshëm. I treti është projekti që po mendojmë ta fillojmë nga vjeshta që është rigjenerimi i lagjeve, që do të thotë trajtimi i të gjitha fasadave të jashtme të ndërtesave me kapacitet tona. Pastaj hapja e një fabrike të NPB-së për prodhimin e së paku 6 produkteve. Fabrika do të ndërtohet brenda objektit të NPB-së. Dyert e hyrjeve i prodhojmë vet”, tha Kukaj.

Sa i përket strehimores së viktimave të dhunës në familje, Kukaj tha se “strehimoren e grave dhe të fëmijëve po e rinovojmë në tërësi. Renovimi po na kushton rreth 100 mijë euro. Projekti përfundon brenda këtij viti, kah vjeshta”.

Duke folur për kuzhinat popullore, që deri më tani janë hapur 2 kuzhina statike, Kukaj tha se synimi i Komunës është hapja edhe e dy kuzhinave tjera.

“Do t’i kemi katër pika statike brenda vitit. Një do të jetë tek ‘3 Sheshirat’ dhe e katërta në Ulpianë. Interesimi i qytetarëve për t’u ushqyer në këto kuzhina është shumë i madh”, theksoi drejtori Kukaj.