Arbëri

Ndërpriten punimet e një lokali në ‘Emshir’, operonte pa leje

Hapja e një lokali në lagjen “Emshir” në Komunën e Prishtinës, ka shqetësuar banorët.

Kjo pasi, sipas tyre, pronari i lokalit ka vendosur tarracën afër çerdhes së fëmijëve duke ua vështirësuar qarkullimin.

Një qytetar i cili ka dashur të mbetet anonim, ka thënë për Koha.net se lokali gjendet në pronën publike dhe se komuna nuk ka ndërmarrë ende asgjë për ta ndaluar veprimtarin e tij.

“Në lagjen ‘Emshir’, te banesat e arabëve, kulla 3, afër çerdhes së fëmijëve është duke u zënë hapësira publike nga një kafene e cila po ndërton edhe tarracë”, ka thënë ai. “Me mund shumë të madh i kemi ble banesat për të jetuar, por tani mezi po mbijetojmë nga parregullsitë”.

Menjëherë pas kontaktimit të Koha.net me drejtorin e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, janë ndërprerë punimet e këtij lokali.

I pari i Inspeksionit ka thënë se pronari është gjobitur me 100 euro, pasi nuk ka pasur leje për operim.

“Janë ndërprerë punimet për shkak se pala nuk ka marrë leje për një gjë të tille. Si rrjedhoje, është shqiptuar edhe gjoba prej 100 eurosh”, ka thënë ai.