Rreth 24 kilometra larg kryeqytetit, fshati Koliq gjatë dimrit merr një pamje të mrekullueshme.
Por, për banorët këtu jetesa bëhet më e vështirë gjatë dimrit, transmeton emisioni "038" në KTV.
Ata thonë se komuna nuk ka sjellë deri tash asnjëherë kompanitë për pastrimin e rrugëve.
Derisa, kanë ankesa për mungesën e transportit i cili, sipas tyre, është i domosdoshëm sidomos gjatë kësaj periudhe.
Edhe kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit ka thënë se njëri nga banorët po i pastron rrugët vullnetarisht.
Por, komuna e Prishtinës thotë se rrugët janë pastruar gjatë kësaj jave.
“Rrugët kryesore të asaj pjese janë pastruar të paktën dy herë gjatë këtyre ditëve. Ka mundësi që ndonjë rrugë dytësore të ketë mbetur. Dihet që numri i rrugëve për të cilat kontraktojmë kompani është i kufizuar, për shkak të buxhetit, mirëpo ne në vazhdimësi kemi bërë thirrje që qytetarët kudo që kanë problem të njoftojnë në Qendër, në numrin 038/245-777”, thuhet në përgjigjen e tyre për KTV.
Kompanitë e kontraktuara, sipas Tahirit, si për rrugët në qytet ashtu edhe në fshatra, shumë herë pastrojnë edhe rrugë që nuk i kanë brenda kontratës, vetëm që të mos i lënë qytetarët të bllokuar.