Arbëri

Punëtorët e Pallatit të Rinisë anulojnë protestën e paralajmëruar

Punëtorët e Pallatit të Rinisë kanë anuluar protestën e paralajmëruar në ora 12:00, për shkak të mosmarrjes së pagave për tre muaj, raporton KTV.

Kryetari i sindikatës së punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, Enver Musiqi, ka thënë se anulimi i protestës ka ardhur pas një takimi të sotëm ndërmjet tyre, përfaqësuesve të komunës dhe të përmbaruesve.

Sipas tij, aty është arritur marrëveshje verbale që ekzekutimi i pagave do të bëhet brenda dy ditësh.

Punëtorët nuk kanë marrë pagat për muajt shtator, tetor dhe nëntor.

Për këto vonesa, Komuna e Prishtinës është arsyetuar se ka pasur probleme me regjistrimin e kësaj ndërmarrjeje si dhe me xhirollogaritë bankare.

Megjithatë, Komuna e Prishtinës u kishte premtuar punëtorëve se deri në fund të nëntorit do të bëhet ekzekutimi i pagave.