Vendimi i Qeverisë për ndalimin e përdorimit të thëngjillit në të gjitha institucionet publike qendrore dhe lokale, sipas komunës së Prishtinës, nuk u shkakton probleme shkollave të kryeqytetit, pasi asnjë prej tyre nuk e përdor këtë lëndë djegëse për ngrohje.
Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Jonuz Salihaj, thotë se nga 75 institucione arsimore, 33 prej tyre e përdorin naftën si lëndë djegëse për ngrohje, raporton 038 në KTV.
Sipas tij, synohet që, më së largu brenda dy vjetësh, në këto institucione të zëvendësohet nafta me pelet, për shkak se ky i fundit është i shëndetshëm dhe më pak i kushtueshëm.
Sipas Salihajt, Komuna po mundohet që nxënësve t'u sigurojë ngrohje cilësore dhe të shëndetshme.
Shkolla fillore “Teuta”, në fshatin Grashticë të Prishtinës, qe dy vite ka instaluar kaldajën me pelet. Drejtuesit e saj thonë se nuk kanë probleme me ngrohje dhe se furnizimi me pelet është i rregullt.
Edhe në shkollën “Tefik Çanga” në Koliq e kanë mirëpritur sistemin e ngrohjes me pelet, pasi theksojnë se janë përballur me probleme të shumta rreth ngrohjes.
Mirëpo, fatin e mirë si të dy shkollave paraprake nuk e ka edhe ajo “Fan Noli”, në fshatin Marec. Gjithsej 18 nxënësit e kësaj shkolle, përveç infrastrukturës së dobët, përballen edhe me tymin dhe pluhurin e stufave të vjetra të cilat gjenden brenda secilës klasë, në mungesë të ngrohjes qendrore.
Drejtori Ramë Haxholli thotë se problem tjetër për shkollën është mungesa e energjisë elektrike, në këtë zonë me lartësi mbidetare prej 1 mijë e 100 metra.
Megjithatë, sipas tij, nga Komuna kanë marrë premtime se vitin tjetër do ta instalojnë ngrohjen qendrore me pelet.
Drejtori Salihaj thotë se nuk e di numrin e saktë të shkollave që pritet të lidhen në rrjetin e Termokosit, pasi, sipas tij, Komuna nuk e di planin e kësaj ndërmarrjeje.
Megjithatë, ai është shprehur optimist se përmes donacioneve, sa më shumë shkolla të kenë mundësi të lidhen në rrjetin e ngrohtores së qytetit.