Gati tri javë u janë dashur asamblistëve të Kuvendit të Kryeqytetit, për të përmbushur rendin e ditës të mbledhjes së nëntë, të këtij institucioni.
Seanca e nisur më 12 tetor, është mbyllur vetëm pas dy vazhdimeve, më 30 e 31 tetor.
Vazhdimet e së martës dhe mërkurës, janë përcjellë me kundërthënie, ofendime e përplasje të ashpra verbale.
Kontrovers ishte veprimi i Partisë Demokratike, e cila të martën ishte e gatshme t’i ndihmonte Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike, për shkarkim të aksionarëve në Ndërmarrjen Publike Banesore, qëndrim që ndryshoi të mërkurën.
Mbledhja, që të martën u në mungesë kuorumi, një ditë pas vazhdoi vetëm pasi PDK qëndroi në sallë, duke i bërë kuorumin dhe votuar në vijë të njëjtë me PSD-në.
Këtë veprim, njohës të zhvillimeve në kryeqytet e shohin si matematikë politike mes PSD-së dhe PDK-së, ku në llogari hyjnë edhe ndërmarrjet komunale.
Dy ditë radhazi, në pjesën më të madhe të mbledhjes pati përplasje të ashpra verbale.
Madje, aty pati edhe ofendime e etiketime me epitete të ndryshme, veçmas në përplasjen mes Nol Nushit të PSD-së e Egzon Azemit të LVV-së.
Gjuha e tillë dhe veprimet ekstreme politike, sipas gazetares Salie Gajtani - Osmankaq, janë tregues se të zgjedhurit e popullit në këtë institucion, po punojnë vetëm për interesa të ngushta partiake e personale.
Përplasje pati edhe mes asamblistëve të Lidhjes Demokratike dhe kryesuesit Agim Kuleta.
Me arsyetimin se ky i fundit nuk po u jep fjalën dhe nuk po udhëheq mbledhjen si duhet, LDK-ja përkohësisht lëshoi sallën.
Kjo bëri që të diskutohej edhe mundësia e shkarkimit të Kuletës.
Ndër momentet e rralla kur në mbledhje pati rend, ishte bashkimi për të votuar rekomandimet për përmbushje të kuotës ligjore për punësim për personat me aftësi të kufizuara në komunë dhe në ndërmarrjet e saj.