Arbëri

Ish-punëtorët e “IMN Kosova” sërish protestojnë para Komunës së Prishtinës - kërkojnë 20 përqindëshin

Ka 8 vjet që punëtorët e ish-fabrikës “IMN Kosova” po presin kompensimin prej 20 për qind.

Por, as që dihet se kur do të bëhet ky kompensim, pasi nga Agjencia e Privatizimit të Kosovës, kanë thënë se Komuna e Prishtinës i paguan këta punëtorë, raporton KTV.

Andaj, rreth 300 punëtorë të kësaj ndërmarrjeje, kanë protestuar para Komunës së Prishtinës për të katërtën herë me radhë.

Ata kanë kërkuar takim me kryetarin Shpend Ahmeti, duke thënë se pavarësisht premtimeve, nuk po ndërmerr asgjë.

Në rast se nuk realizohet kërkesa e tyre, protestuesit kanë thënë që do të detyrohen që të bllokojnë edhe hyrjen e shkollës “Model”, e cila është në pronën e kësaj ndërmarrjeje.

Por, ndryshe nga AKP-ja ka deklaruar i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti. Madje, ai i ka akuzuar zyrtarët e kësaj agjencie se po e bartin përgjegjësinë te komuna, pa pasur marrëveshje për parcelën.

Parcela ku ka qenë “IMN Kosova” është shpallur Zonë e Veçantë nga Qeveria e Kosovës në vitin 2010, sipas kërkesës së kryetarit të Komunës së Prishtinës në atë kohë.