Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Luftarake

Tjera medalje për Kosovën

x

Edhe dy medalje mesdhetare për Kosovën nga xhudistët

1 muaj më parë / 29 gus 2026 17:14
Laura Fazliu

Kosova ka arritur në shifrën e gjashtë medaljeve në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. Plot pesë prej tyre i kanë fituar xhudistët e kryemjeshtrit Driton Kuka.

Të shtunën në ditën e dytë të garave të xhudos në Taranto, Laura Fazliu fitoi medalje të argjendtë në kategorinë deri 63 kilogramë, ndërsa Shpati Zekaj fitoi medalje të bronztë në kategorinë deri në 100 kilogramë. 

Kosova u prezantua me shtatë xhudistë në këto Lojëra Mesdhetare. Dhe pesë prej tyre u stolisën me medalje. Kjo dëshmon nivelin e xhudistëve kosovarë dhe po ashtu varësinë e Kosovën nga xhudoja, sa u takon sukseseve në ngjarjet ndërkombëtare. 

Medalje të bronzta kanë edhe Akil Gjakova, Flaka Loxha e Fatjona Kasapi. Ndërkohë medaljen e vetme të artë për Kosovën e ka boksierja Donjeta Sadiku.

Laura Fazliu është pritur të fitojë medalje në Lojëra Mesdhetare dhe nuk ka dëshpëruar. Nisi me fitore në çerekfinale ndaj turkes Ozlem Yildiz. Më pas me paraqitje bindëse e mposhti në gjysmëfinale francezen Doria Boursas. Finalja me italianen Carlotta Avanzato ishte e fortë dhe pa shumë aksion. Avanzato realizoi herët “Yuko”, që është pika më e vogël në xhudo. Dhe më pas vetëm është mbrojtur. Laura, me gjithë përpjekjet, nuk arriti të realizoi pikë. Ajo është larguar e dëshpëruar nga tatami, duke dëshmuar se ka pritur të artën. Në fakt edhe niveli i saj është për të artë.

Shpati Zekaj ka pasur rrugë më të gjatë deri te medalja e bronztë në kategorinë deri në 100 kilogramë. Filloi me fitore ndaj xhudistit të Malit të Zi, Aleksandar Tomiq. Në luftën e dytë humbi me “Ippon” nga Koussay Ben Ghares i Tunizisë, ndonëse ishte duke udhëhequr me uazari.

Përmes repesazhit fillimisht e mposhti grekun Athanasios Mylonelis. Ndaj tij fitoi me “Ippon”, përkatësisht me mbërthim. Ndërkohë lufta për medalje të bronztë me algjerianin Rayana Benatia, u vendos me dënime. Benatia e pësoi dënimin e tretë dhe kështu fitorja dhe medalja e bronztë i takoi Shpati Zekajt.

Kjo është hera e tretë që Kosova paraqitet në Lojëra Mesdhetare. Në dy edicionet e para gjitha medaljet i fituan xhudistët, pos një të boksierit Shpëtim Bajoku. Edhe në Taranto të Italisë numrin e madh të medaljeve e kanë fituar xhudistët. Mbetet të shihet nëse do të fitohen medalje në ndonjë sport tjetër.

Medalja e gjashtë për Kosovën, Zekaj i bronztë

1 muaj më parë / 29 gus 2026 17:02
Medalja e gjashtë për Kosovën, Zekaj i bronztë

Shpati Zekaj ka siguruar medaljen e gjashtë për Kosovën në Lojërat Mesdhetare.

Xhudisti e fitoi të bronztën në kategorinë deri në 100 kilogramë. Për vend të tretë e mposhti xhudistin nga Algjeria, Rayane Zakaria Benatia. 

Benatia i pësoi tri dënime dhe kështu fitorja i takoi Shpatit.

Pesë prej medaljeve Kosova i ka në xhudo.

Laura e argjendtë – medalja e pestë për Kosovën

1 muaj më parë / 29 gus 2026 16:19
Laura Fazliu

Laura Fazliu ka fituar medalje të argjendtë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Në finale të kategorisë deri në 63 kilogramë, xhudistja kosovare u mposht nga italiania Carlotta Avanzato.

Për Kosovën është medalja e pestë në këto Lojëra Mesdhetare. Të artë ka fituar boksierja Donjeta Sadiku, kurse të bronzta fituan xhudistët Akil Gjakova, Flaka Loxha dhe Fatjona Kasapi.

Laura e nisi ditën me fitore ndaj turkes Ozlem Yildiz. Më pas e mposhti në mënyrë impresive francezen Doria Boursas. Në finale ndaj italianes Avanzato nuk shfaqi shumë. Por shumë nuk shfaqi as italiania, që megjithatë fitoi me pikën më të vogël, Yuko. Laura, me gjithë përpjëkjet, nuk ia doli të realizoi hedhje.

Laura impresive – në finale dhe siguron medalje

1 muaj më parë / 29 gus 2026 13:44
l

Laura Fazliu është kualifikuar në finale të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.

Në gjysmëfinale të kategorisë deri 63 kilogramë, Laura e mposhti francezen Doria Boursas.

Laura ishte dominante. Realizoi dy “Yuko”, para se me mbërthim të siguronte fitore me Ippon.

Në finale Laura do të përballet me italianen Carlotta Avanzato.

Kosova tashmë i ka katër medalje, një të artë e tri të bronzta.

Zekaj fiton në repesazh, i afrohet medaljes

1 muaj më parë / 29 gus 2026 13:19
Z

Shpati Zekaj është një fitore larg medaljes në Lojëra Mesdhetare.

Në repesazh të kategorisë deri 100 kilogramë në xhudo, Zekaj e mposhti grekun Athanasios Mylonelis.

Shpati pasdite lufton për medalje bronzi.

Laura Fazliu kualifikohet në gjysmëfinale

1 muaj më parë / 29 gus 2026 12:00
l

Laura Fazliu është kualifikuar në gjysmëfinale të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.

Në çerekfinale të kategorisë deri 63 kilogramë, Laura e mposhti turken Ozlem Yildiz. 

Xhudistja turke i pësoi tri dënime dhe kështu fitorja ishte për Laurën.

Në gjysmëfinale, Fazliu përballet me francezen Doria Boursas.

Zekaj ndalet në çerekfinale, vazhdon në repesazh

1 muaj më parë / 29 gus 2026 11:36
zz

Shpati Zekaj është mposhtur në çerekfinale të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.

Në kategorinë deri 100 kilogramë në xhudo, Zekaj pësoi nga Koussay Ben Ghares i Tunizisë. Xhudisti kosovar ishte duke udhëhequr me uazari, por më pas tuniziani realizoi Ippon për fitore.

Zekaj tani e kërkon medaljen e bronztë përmes repesazhit. I duhen dy fitore.

Zekaj e fiton luftën e parë

1 muaj më parë / 29 gus 2026 10:49
zek

Shpati Zekaj e ka nisur me fitore garën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Në xhiron e parë të kategorisë deri 100 kilogramë, Zekaj e mposhti xhudistin nga Mali i Zi, Aleksandar Tomiq.

Tomiq i pësoi tri dënime dhe fitorja i takoi xhudistit kosovar.

Sot garon edhe Laura Fazliu.