Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDistria e artë në Paris
Distria Krasniqi ka shkëlqyer të shtunën në kryeqendrën e Francës. Dhe në fund e fitoi medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit, që llogaritet gara më e famshme e xhudos.
Distria ishte e pandalshme në kategorinë deri 52 kilogramë. Në arenën e famshme “Bercy”, në praninë e rreth 15 mijë shikuesve, Distria në finale e mposhti spanjollen Ariane Toro Soler. Ndaj saj tani ka pesë fitore e një humbje.
Solerin e mposhti shumë shpejt, për 27 sekonda. Ndaj saj realizoi hedhje të bukur për Ippon.
VIDEO:
E arta e fituar të shtunën është e katërta e Distrisë në Paris. Këtë garë e ka fituar edhe në vitet 2020, 2023 e 2024. I ka po ashtu dy të argjendta e tri të bronzta. Në kryeqendrën franceze e fitoi edhe të argjendtën olimpike dhe tashmë i ka plot 10 medalje në Paris.
Si bartëse e parë e kategorisë, Distria ishte e lirë në xhiron e parë. Në të dytën e mposhti pa telashe francezen Alicia Marques. Në çerekfinale u sfidua goxha shumë nga braziliania Larissa Pimenta. Ndaj saj fitoi në kohën shtesë, duke realizuar uazari. Në gjysmëfinale, Distria e kaloi francezen Amandine Buchard, që vlerësohej rivalja më e madhe e saj në këtë garë. Ndaj Buchardit realizoi herët “Yuko”, që është pika më e vogël. Më pas e kontrolloi me sukses luftën deri në fund për vend në finale.
Të shtunën në Grand Slamin e Parisit garuan edhe pesë xhudistë të tjerë të Kosovës. Rezultatin më të mirë prej tyre e kishte Fationa Kasapi, që u rendit e shtata po në kategorinë deri 52 kilogramë.
Në debutim në Grand Slamin e Parisit, Fationa në xhiron e parë e mposhti francezen Blandine Pont, ndërsa në të dytën hungarezen Roza Gyertyas. Por u mposht në çerekfinale nga gjermania me përvojë, Mascha Ballhaus dhe më pas në repesazh edhe nga Jang Suyun e Koresë së Jugut.
Akil Gjakova ishte i lirë në xhiron e parë të kategorisë deri 73 kilogramë. Në xhiron e dytë e mposhti Otari Kvantidzen e Portugalisë. Por humbi më pas nga Manuel Lombardo i Italisë. Akilit iu dha dënimi i tretë në kohën shtesë. Trajneri i Kosovës në xhudo, kryemjeshtri Driton Kuka, ka reaguar ashpër pas dënimit të dytë dhe të tretë për Akilin, duke i vlerësuar të padrejta.
Në kategorinë deri 48 kilogramë, Erza Muminoviq u ndal në luftën e dytë, pasi e kaloi me sukses të parën. Flaka Loxha e humbi luftën e parë në kategorinë deri 57 kilogramë. Në 63 kilogramë, Laura Fazliu ishte prej bartëseve. Në xhiron e parë ishte e lirë, ndërsa në të dytën përballë e kishte Gili Sharirin e Izraelit. Pas një lufte prej 14 minutave, gjyqtari ua dha dënimin e tretë të dy xhudisteve, që ndodhë rrallë në xhudo. Kështu të dyja u suspenduan dhe nuk avancuan tutje.
Por, falë Distrisë, Kosova sërish fitoi medalje në Paris.
Të shtunën luftërat janë zhvilluar në katër tatami të ndryshëm, si në asnjë garë tjetër. Pjesë e garës në Paris janë 488 xhudistë nga 78 vende të ndryshme. Është gara e parë e vitit në Turin Botëror të Xhudos.
Distria me spanjollen Soler ka katër fitore e një humbje
Distria Krasniqi përballet me spanjollen Ariane Toro Soler në finale të Grand Slamit të Parisit.
Distria e kërkon të artën në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa llogaritet favorite në finale.
Ndaj Toro Solerit ka katër fitore e një humbje në karrierën e deritashme.
Vjet e mposhti në gjysmëfinale të Evropianit dhe në gjysmëfinale të Botërorit. Humbjen prej Toro Solerit e pësoi në mars të vitit 2024.
Distria në Grand Slamin e Parisit i ka tetë medalje deri më tani. Sonte e fiton të nëntën. Medalje në Paris ka fituar edhe në Lojërat Olimpike të vitit 2024.
Distria në finale të Parisit, siguron medalje
Distria Krasniqi ka siguruar edhe një medalje në Grand Slamin e Parisit, të nëntë.
Ajo është kualifikuar në finale të kategorisë deri 52 kilogramë. Në gjysmëfinale e mposhti me Yuko, francezen Amandine Buchard.
Lufta ishte taktike. Distria realizoi herët pikë dhe më pas mbajti epërsinë deri në fund të kohës së rregullt prej katër minutave.
Krasniqi i ka tetë medalje në Grand Slamin e Parisit dhe një të tjetër olimpike po në Paris. Sot do ta fitojë të dhjetën.
Në 52 kilogramë garoi edhe Fationa Kasapi. Pas dy fitoreve ajo u ndal në çerekfinale e më pas edhe në luftën e parë të repesazhit. Fationa përfundoi e shtata.
Vendim i rrallë në luftën e Laura Fazliut
Laura Fazliu ishte pjesë e një lufte që përfundoi me vendim të rrallë në Grand Slamin e Parisit.
Në xhiron e dytë të kategorisë deri 63 kilogramë, Laura u përball me xhudisten nga Izraeli, Gili Sharir.
Në kohën e rregullt nuk kishte fituese, kurse në minutën e dhjetë të kohës shtesë, gjyqtarë ndau dënime për pasivitet për të dy xhudistet. Kështu u suspenduan të dyja dhe asnjëra nuk avancoi tutje.
Laura vlerësohej pretendente për medalje, por mbeti duarthatë.
Akil Gjakova ndalet nga Lombardo, reagime të shumta të Kukës
Akil Gjakova është ndalur në luftën e dytë në Grand Slamin e xhudos në Paris.
Në kategorinë dri 73 kg, Gjakova humbi nga italiani Manuel Lombardo.
Xhudisti kosovar humbi me tri dënime. Por trajneri i Kosovës, Driton Kuka ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të gjyqtarëve. Ai i ka vlerësuar të padrejta dënimin e dytë dhe të tretë.
Distria në gjysmëfinale të Grand Slamit të Parisit
Distria Krasniqi është kualifikuar në gjysmëfinale të Grand Slamit të Parisit.
Në çerekfinale, Distria fitoi me shumë vështirësi ndaj brazilianes, Larissa Pimenta.
Lufta ishte e fortë dhe taktike, por në kohën shtesë Distria realizoi pikë për fitore.
Fationa ndalet në çerekfinale, vazhdon në repesazh
Fationa Kasapi është ndalur në çerekfinale të kategorisë deri 52 kilogramë në Grand Slamin e xhudos në Paris. Ajo u mposht nga xhudistja cilësore gjermane, Mascha Ballhaus.
Lufta ishte e fortë, por xhudistja gjermane realizoi aksion për uazari.
Fationa, që i ka dy fitore, vazhdon në repesazh, ndërsa e kërkon medaljen e bronztë.
Ndërkohë Erza Muminoviq u ndal në xhiron e dytë të kategorisë deri 48 kilogramë. Ajo u mposht nga spanjollja Eva Perez Soler.
Edhe një fitore për Fationa Kasapin
Fationa Kasapi e ka shënuar edhe një fitore në kategorinë deri 52 kilogramë në Grand Slamin e Parisit.
Në xhiron e dytë, Fation fitoi ndaj Roza Gyertyas të Hungarisë. Në xhiron e parë xhudistja kosovare fitoi ndaj francezes Blandine Pont.
Fationa po debuton në Grand Slamin e Parisit.
Distria e kalon pengesën e parë
Distria Krasniqi e ka kaluar pengesën e parë në Grand Slamin e Parisit.
Në xhiron e dytë të kategorisë deri 52 kilogramë, Distria e mposhti francezen Alicia Marques. Ishte fitorja e tretë e ditës e xhudisteve kosovare ndaj atyre franceze.
Distria është bartëse e parë.
Gjakova fiton me hedhje të bukur
Akil Gjakova e ka nisur mbarë paraqitjen në Grand Slamin e parisit.
Ai në xhiron e dytë të kategorisë deri 73 kilogramë e mposhti xhudistin që përfaqëson Portugalinë, Otari Kvatidze.
Ndaj tij fitoi me hedhje të bukur në kohën shtesë.
Lufta ishte e fortë, por Gjakova e kishte iniciativën.
Edhe Erza Muminoviq mposht xhudiste nga Franca
Grand Slamin e Parisit me fitore e ka nisur edhe Erza Muminoviq në kategorinë deri 48 kilogramë.
Në xhiron e parë Erza e mposhti francezen me përvojë, Marine Gilly.
Ndaj saj fitoi me Yuko në kohën shtesë. Lufta ishte e fortë dhe e barabartë. Por tutje avancoi Erza që është kthyer në gara për një kohe të gjatë.
Gilly është xhudiste me përvojë, me suksese solide.
Kasapi e mposht nënkampionen evropiane
Xhudistët e Kosovës e kanë nisur herët në mëngjes garimin në Grand Slamin e Parisit. Luftërat po zhvillohen në katër tatami të ndryshëm, ndërsa me fitore të madhe nisi Fationa Kasapi.
Në xhiron e parë të kategorisë deri 52 kilogramë, Fationa fitoi më “Yuko” ndaj francezes Blandine Pont.
Francezja ishte nënkampione evropiane në vitin 2024.
Fationa për herë të parë po garon në Paris.
Ndërkohë Flaka Loxha pësoi në xhiron e parë në kategorinë deri 57 kilogramë. Ajo i mori tri dënime në përballje me Acelya Toprak të Britanisë së Madhe. Dënimin e tretë e mori për veprim të gabuar teknik.
Flaka nisi mirë, por gradualisht humbi kontrollin në luftë dhe u eliminua.