Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka shpalosur programin e tij.
Vitia në balotazh më 14 nëntor do të jetë me Përparim Ramën e LDK-së.
Në raundi e parë më 17 tetor, ka marrë 42.33 për qind të votave, ndërsa Rama doli i dyti me 29.35 për qind.
Ai ka thënë se në planin e tij është ndërtimi i pesë parqeve ndër të tjera.
"Kemi qenë në çdo lagje duke shpalosur projektin tonë për kryeqytetin, sepse kryeqyteti është vendi i parë në Republikë ku duhet të rregullohet. Natyra e individit është kryeqyteti. Pesë qendra kulturore të reja duke prekur 7 milionë euro që do investohen brenda mandatit për këto qendra kulturore”.
Më tej, ai përmendi disa projekte në rregullimin e infrastrukturës së kryeqytetit.
“Qyteti është vlerësim shpirtëror i brezave të vjetër. Ajo çka na është dhënë duhet të jetë e përdorshme dhe jo e dëmtuar, andaj në secilën lagje do kemi shtigje të vrapimit, ku 600 mijë euro do shpenzohen për këto shtigje. Ky do jetë mandat ku do kemi edhe spitalin e ri. Investimi jonë më i madh do jetë 150 milionë euro për trotuare, rrugë, parkingje në çdo cep të tij”, theksoi tutje Vitia.
“Prishtina është e përbashkëta jonë, puna dhe angazhimi im i vetëm do jetë Prishtina, puna dhe shpirti im do jetë Prishtina si shtëpia ime e vetme”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se viti 2022 do të jetë viti i mirëqenies së popullit dhe i punëve të mëdha të Qeverisë.
Ai ka thënë që progresi në Republikë të zbresë në komunat duhet të fitojnë 12 kandidatët e Vetëvendosjes që janë në balotazhin e 14 nëntorit.
“Janë ndarë 45 milionë euro shtesa për lehonat e fëmijët, studime universitare falas, 35 milionë euro për skemat pensionale e sociale, 24 milionë euro për barnat esenciale, 70 milionë euro për skemën e punësimit të garantuar për të rinj, 70 milionë euro për bujqësinë, 100 milionë euro për ushtrinë, e shumë e shumë projekte tjera. Që progresi në Republikë të zbresë në komuna për të ngritur mirëqenien qytetare, duhet të fitojnë 12 kandidatët e Lëvizjes që janë në balotazh. Doktor Arbeni posedon tri elemente që e bëjnë atë të ndryshëm e më të suksesshëm nga të tjerët: ekspertizën, këmbënguljen dhe njerëzoren. Është drejtori më i suksesshëm që ka njohur ndonjëherë Prishtina, ministri më i dalluar e i përkushtuar që ka njohur Kosova, e kryetari më i mirë që do të ketë ndonjëherë Prishtina”, ka thënë Kurti.
E kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca gjatë tubimit politik për të bërë hapjen e fushatës së kësaj partie në përkrahje të Arben Vitisë, tha se me VV-në në krye te komunës, në Prishtinë do të ndalet kriminalizimi i urbanizmit.
“Prishtina nuk e meriton këtë gjendje me të cilën është katandisur sot, dhe Arben Vitia do ta bëjë model kryeqytetin. Do ta ndal kriminalizimin e planit urbanistik, dhe do ta shkarkoj ngarkesën e komunikacionit. Tash është koha ta kthejmë Prishtinën dhe koha që kryeqyteti të jetë model”, theksoi tutje Konjufca.
Para se të niste tubimi, qeveritarët nga radhët e VV-së kanë pirë kafe në një kafene në shesh.
{gallery}