Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, është mjaft aktiv në fushatën e tij për të marrë edhe një mandat në krye të kësaj komune. Haskuka, fushatën e tij për zgjedhjet e 17 tetorit, e ka vazhduar në fshatrat Atmaxhë, Vlashnje, Kobaj dhe Muradem.
Nga atje Haskuka ka premtuar edhe një zonë të re ekonomike në rrugën Prizren – Kukës, e mbështetje për fermerët.
“Në afatin e ardhshëm 4 vjeçar ne e kemi paraparë që përveç këtyre projekteve, edhe projekte specifike për modernizimin e prodhimtarisë bujqësore dhe të blegtorisë në komunën e Prizrenit”, ka deklaruar ai.
As këtu nuk mungoi mbështetja e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Duhet sa më masivisht të dalim e të votojmë e të mos shkojmë në balotazh”, ka thënë deputeti Mefail Bajqinovci.
Mbështetje për sektorin e bujqësisë ka premtuar edhe kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit, Visar Korenica, i cili ka fajësuar qeverisjen e PAN-it, për gabimet 20-vjeçare në bujqësi.
E mëngjesin e së dielës, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, i cili synon edhe një mandat tjetër, ka zgjedhur të pijë kafe me kandidatë për asamble.
Në këtë takim, u shkelën masat anti-COVID, të vendosura nga Qeveria e Kosovës. Derisa, nga fshati Bresalc, i komunës së Gjilanit, kandidati për kryetar të kësaj komune, Alban Hyseni ka premtuar vëmendje më të madhe për zonat rurale.
“Problemet që ne kemi identifikuar, përgjatë skanimit të gjendjes në Komunën e Gjilanit, për fshatin tuaj janë si vijim, gjendja e rënduar në shkollë dhe palestër të shkollës, gjendja e brendshme e shkollës dhe infrastrukturës që duhet rinovuar e ndryshuar, infrastruktura e fshatit duke filluar nga rrugët e trotuaret”, ka thënë ai.
Kandidatët e tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë vazhduar me fushatën e tyre në rrjete sociale, duke prezantuar kandidatët për asamble komunale.