Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Avdijaj i VV-së premton zhdukjen e keqpërdorimeve në administratën e Istogut

Mbështetjen e bizneseve të sektorit privat e vende të reja të punës ka premtuar kandidati për kryetar të Komunës së Istogut, Agron Avdijaj. Gjatë një vizite në disa biznese, në këtë komunë, ai ka premtuar se gjatë qeverisjes së tij nuk do të ketë punësime familjare

Mungesa e punëtorëve është njëri nga problemet që pronari i një biznesi privat në Istog ia tregon kandidatit për kryetar të kësaj komune, Agron Avdijaj. Së bashku me disa kandidatë për asamblistë, Avdijaj gjatë së premtes ka vazhduar vizitat e tij në kuadër të fushatës zgjedhore, në disa biznese në këtë komunë.

Kandidati për kryetar të Istogut nga Lëvizja Vetëvendosje premtimet për bizneset private i vazhdoi edhe te një kompani që merret me përpunimin e drurit e me prodhim të dritareve në Gurrakoc.

Edhe aty përfaqësuesit e biznesit u kujdesën që t’i tregonin për punën që po bënin dhe vështirësitë që po hasin. Por, në fund të takimeve dikush po kujdesej edhe që t’u linte disa fletushka.

“Të krijoj një bashkëpunim mes sektorit privat dhe arsimin, në mënyrë që të rinjtë tanë të kryejnë praktikë, edhe njëkohësisht të avancohen dhe kur t’i kryejnë studimet të jenë të përgatitur”, është shprehur Avdijaj.

Avdijaj tutje, duke treguar pikat kryesore të programit të tij, ka thënë se do ta zhdukin nepotizmin në këtë komunë.

“Ne jemi zotuar për një administratë funksionale, ku do të fokusohen edhe aspekti i llogaridhënies, ndalja e keqpërdorimeve dhe luftimi i nepotizmit”, ka shtuar ai.

Edhe kandidatët e tjerë nga kjo parti kanë vazhduar me takimet e tyre dhe shpalosjen e programit. Kandidati për kryetar të Shtimes, Qemajl Aliu, ka premtuar ndërtimin e dy zonave të reja ekonomike.

Derisa kandidati për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka premtuar ndërtimin e dy çerdheve, e dy parqeve në lagjen “Kodra e Trimave” e në Kolovicë.

“Këtë herë në ‘Kodrën e Trimave’ dhe në Kolovicë. Lagje me probleme të shumta, por në të dyja këto lagje garantojmë se do të kemi fokus të veçantë! Do ta përfundojmë hartën zonale, dy çerdhe, dy parqe, një qendër rinore, një treg të vogël e shumë e shumë punë të tjera”, është shkruar në faqen zyrtare të LVV-së, dega në Prishtinë.

E Shpejtim Bulliqi, kryetar i Podujevës, që synon edhe një mandat, ka thënë se do ta orientojnë komunën kah zhvillimi e krijimi i mundësive të reja për qytetarët.

“Para qytetarëve po prezantojmë programin tonë, i cili transformon Podujevën në aspektin infrastrukturor, por edhe me shërbime të shpejta e cilësore në administratë, shëndetësi e arsim. Do ta orientojmë komunën kah zhvillimi e krijimi i mundësive të reja për qytetarët tanë për mirëqenie të dinjitetshme për secilin”, ka deklaruar Bulliqi.

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Gjakovë, ka publikuar top 5 zotimet e kandidates për kryetare të kësaj komune, Mimoza Kusari-Lila. Aty premtohen 3 parqe industriale, zbatim i planit të mobilitetit, rregullim i çarshisë së vjetër, 3 impiante të ujërave të zeza në tri rajone të Gjakovës e qendra sportive në Rezinën e re.