Ujë të pijshëm e rregullim të ujërave të zeza kanë qenë ndër prioritetet e para që Arsim Rexhepi, kandidat për kryetar të Vushtrrisë, ka shpalosur gjatë paraqitjes së programit të tij. Ndërsa, përkrahje për bujqit e fermerët ka premtuar kandidati për kryetar të Lipjanit, e ministri i Bujqësisë, Faton Peci
Arsim Rexhepi, kandidat i LVV-së për kryetar të Vushtrrisë, ka qenë kandidati i radhës, i cili ka shpalosur programin e tij qeverisës, për zgjedhjet e 17 tetorit. Ai ka thënë se programin e tyre e kanë paraqitur në 15 pika, në mesin e tyre kanë qenë edhe zotimet për ujë të pijshëm. Rexhepi ka kritikuar edhe qeverisjet e kaluara për shkak se siç ka thënë ai, në këtë qytet nuk kanë investuar e as punuar.
“Më së voni për 24 muaj do të kemi 24 orë ujë të pijshëm në shtëpitë tona. Është turp që në shekullin 21, Vushtrria është pa kanalizim të kompletuar dhe pa trajtim të ujërave të zeza”, ka thënë ai.
Trajtim të barabartë për të gjithë bujqit e fermerët e Komunës së Lipjanit, ka premtuar kandidati për kryetar i LVV-së, Adnan Rrustemi.
“Brengat e tyre do të jenë edhe tonat. Prandaj për ndërmarrësit do të krijojmë një qendër për ndërmarrësi e inovacion, që për qëllim ka ofrimin e këshillave e trajnimeve profesionale”, është shprehur Rrustemi.
Përkrahje për bujqit nga Mitrovica e Jugut ka premtuar ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili ka vizituar këtë komunë, i shoqëruar me kandidatin për kryetar Agim Bahtiri.
“Thjesht qeveria e re, Qeveria Kurti 2 e ka interesimin e jashtëzakonshëm për zhvillimin ekonomik, të të gjitha veprimtarive”, ka thënë Peci, duke treguar se tashmë mitrovicasit, e kanë edhe mbështetjen e nivelit qendror.
Derisa Agim Bahtiri, kandidat për kryetar të Mitrovicës, ua ka kujtuar qytetarëve periudhën e kaluar.
“Kur kam ardhur më 2013, ju e dini se i keni ndezur agregatet për me ia qit një kafe dikujt”, ka thënë Bahtiri, duke u lavdëruar për punën që ka bërë mandatet e kaluara.
E Suhareka ka qenë komuna që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vizituar dhe ka premtuar se me qeverinë që ai e udhëheq dhe me kandidatin e tyre, Salih Zybën, kjo komunë do të zhvillohet ashtu siç e meriton.
Ndërkohë, kandidati për kryetar të Komunës së Deçanit, Orges Tafilaj, së bashku me deputeten Mirlinda Tishukaj-Sadiku, dhe me kandidatët për asamblistë kanë vizituar lagjen “Mulaj”, të fshatit Isniq. Ai ka biseduar me banorët e këtij fshati, rreth problemeve që ata përballen.
“Fshati Isniq është pa kanalizim, rrugë të paasfaltuara, pa trotuare e madje në disa lagje ka probleme edhe me shtyllat elektrike. Si fshati më i madh në Komunën e Deçanit nuk duhet lënë pas dore, siç është lënë deri më tani nga Komuna. Si Lëvizje Vetëvendosje i kemi të planifikuara projekte për secilin fshat të komunës sonë, duke përfshirë edhe fshatin Isniq”, kanë shkruar në faqen e Lëvizjes Vetëvendosje, dega në Deçan.
Ndërtimin e stadiumit të ri në Ferizaj, e ndërtimin e dhjetëra fushave të futbollit në fshatra, e ka paraparë në programin e tij qeverisës, Valon Ramadani, kandidat për kryetar të Ferizajt.
“Do t´i përkrahim kampionatet e shkollave dhe talentet e reja. Do të pajisim me laboratorë biologjie, kimie dhe fizike secilën shkollë. Do t´i pastrojmë mjediset e shkollave, brenda dhe jashtë objekteve shkollore. Do të hapim një kinema në qytet, dhe një bibliotekë të re për studentët. Do t’i rinovojmë teatrin dhe bibliotekën aktuale. E si qeverisje për zhvillim ekonomik, do të kemi dy investime gjigante që do të sjellim në komunën tonë. Parku i Teknologjisë Moderne, me të cilin Ferizaj do të jetë një kryeqytet i bizneseve start-up”, ka thënë Ramadani, në shpalosjen e programit të tij.