Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / Për mandatin e ardhshëm, Haziri e ka prioritet imunizimin e gjilanasve

Top-prioritet kandidati dhe kreu aktual i Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka vendosur vaksinimin kolektiv të gjilanasve kundër COVID-19. E investimet në shëndetësi, zhvillimi ekonomik e bursa për të rinjtë kanë qenë disa nga premtimet e kandidatëve tjerë të LDK-së për kryetarë të komunave që janë dhënë gjatë të martës në kuadër të fushatës

Kryetari aktual i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili po kandidon edhe për një mandat tjetër, të martën ka shpalosur programin qeverisës në të cilin ka numëruar edhe punët e tij gjatë udhëheqjes me komunën. Për mandatin tjetër Haziri ia ka vendosur vetes disa prioritete, por top-prioritet e ka radhitur imunizimin e popullatës me vaksinën anti-COVID.

“Bashkë në 4 vjetët e ardhshëm do t’i realizojmë këto prioritete; imunizimi kolektiv i popullatës përmes vaksinimit, arsim më cilësor, shëndetësi me mjek n’shpi, zhvillim lokal ekonomik i bazuar në agro-biznes, prodhim dhe partneritet publiko-privat”, ka thënë Haziri.

Mes tjerash, ai ka shpalosur edhe disa plane për rininë e studentët.

“Do të bëhet dyfishim i bursave për studentët e Komunës së Gjilanit, bursa për studentët e ekselencës që studiojnë jashtë Republikës së Kosovës, bursa për studentët që studiojnë në universitetet e Kosovës”, është zotuar ai.

Më shumë bursa e mundësi në sport, kulturë e muzikë u janë premtuar edhe të rinjve të Prishtinës nga kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama. Në takimet me qytetarë Ramën e përcolli edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili, i bindur në fitore, ka thënë se Prishtina është një hap larg kapërcimit të madh.

Në Deçan kandidatja Hyri Dobrunaj është zotuar për përmirësim e cilësi në shërbimet shëndetësore. Ajo ka thënë se do të ketë një mjek për dy mijë banorë.

“Kartelë shëndetësore për të gjithë, funksionalizim të plotë të gjitha QMF-ve dhe AMF-ve, autoambulancat do të jenë në shërbim 365 ditë të vitit 24 orë, linjë telefonike të hapur 24 orë, kujdes i garantuar paliativ”, ka deklaruar ajo.

Në Prizren kandidati Anton Quni është takuar me profesionistë shëndetësorë, ku u ka premtuar investime në këtë fushë duke shtuar se do të ndërtohen qendra emergjente dhe qendra të mjekësisë familjare në zonat më të largëta të Prizrenit. “Duhet vëmendje më e theksuar e autoriteteve komunale që të bëjmë të mundur një trajtim sa më të mirë të mundshëm dhe sa më të dinjitetshëm të të gjithë qytetarëve filluar nga personeli adekuat deri tek ngritja e objekteve fizike me pajisje më moderne për parandalim, diagnostikim dhe trajtim. Të gjitha këto çështje në programin qeverisës të LDK-së do ta kenë prioritetin dhe urgjencën”, ka thënë ai.

E pas një vizite në fshatin Samadraxhë, kandidati për Suharekën, Ardian Shala, ka dhënë disa zotime për banorët atje. Përveç mbështetjes ndaj bujqve, Shala ka treguar edhe planet e tij infrastrukturore për këtë fshat.

“Ndërtimin e shkollës dituria, ndërtimin e rrugëve lokale, riparimin dhe mirëmbajtjen e stadiumit të futbollit, hapja e rrugëve fushore, rregullimi i trotuareve të fshatit, renovimi dhe përshtatja e objektit të vjetër të ambulancës për aktivitete kulturore”, ka premtuar Shala.

Kandidati për Podujevën, Ekrem Hyseni, ka shpalosur planin e tij për zhvillimin ekonomik, të cilin e ka quajtur “Ekonomia Llapjane për Tregun Evropian”. Ai ka thënë se do të bashkëpunojnë ngushtë me odat ekonomike dhe me shoqatat e prodhuesve, si dhe do të krijojnë lidhje me diasporën llapjane për hapjen e tregjeve të reja dhe investimeve në Podujevë.

“Për këtë do të krijoj një zyrë dhe një ekip të dedikuar, do të shkojmë në panaire ndërkombëtare dhe do të organizojmë forume biznesi ku do të krijojmë hapësirë për eksport”, ka shtuar Hyseni.

E në një vizitë Talinocit të Muhaxherëve, kandidatja për Ferizajn, Sibel Halimi, ka thënë se banorëve aty do t’u gjejë zgjidhje për mungesën e ujit të pijshëm, për deponinë e mbeturinave e rrugët e rrezikshme.

“Ujë për të gjithë Ferizajn, sistem i klasifikimit dhe riciklimit të mbeturinave, infrastrukturë rrugore të mirëfilltë janë disa nga prioritetet tona për Talinocin”, ka thënë Halimi.

Në Rahovec kandidati Burim Krasniqi ka thënë se me të kryetar ambienti dhe infrastruktura do të kenë kujdes të veçantë. Ai ka thënë se në shumë vendbanime ka nevojë të tepërt për investime infrastrukturore dhe se do të bëjë përpjekje që gjatë mandatit të ardhshëm t’i zgjidhë të gjitha këto probleme esenciale të banorëve.

“Kompletimi i rrugëve dhe i ndriçimit publik, vendosja e instalimeve kabllore në rrjet nëntokësor dhe finalizimi i trajtimit të ujërave të zeza në tërë territorin e Komunës së Rahovecit mbeten disa nga pikat kyç të planprogramit për ambient dhe infrastrukturë”, ka thënë Krasniqi.