Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / Kurti: Fushë-Kosovës i duhet qeverisje që nuk i nënshtrohet mafisë së ndërtimit

Ndërtim të një bulevardi e parku të qytetit të Lipjanit ka premtuar kandidati për kryetar të kësaj komune, Adnan Rrustemi. E treg modern e me kushte të favorshme për vreshtarët ka premtuar Visar Korenica, i cili synon postin e kryetarit të Rahovecit. Në mbështetje të kandidatëve për kryetarë janë angazhuar kryeministri Kurti e ministrja Haxhiu dhe deputetja Pacolli. Në Fushë-Kosovë, Kurti ka thënë se kandidati i tij nuk i nënshtrohet mafisë së ndërtimeve

Riorganizimi i qendrës së qytetit të Lipjanit është projekti i radhës i prezantuar nga kandidati për kryetar të kësaj komune nga Lëvizja Vetëvendosje. Adnan Rrustemi, i cili është edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, ka prezantuar edhe ndërtimin e bulevardit dhe parkut të qytetit si faza e tretë e riorganizimit të qendrës së qytetit.

Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, ka vizituar Komunën e Mitrovicës së Jugut, ku edhe ka ofruar mbështetjen e Qeverisë për këtë komunë.

“Tani unë besoj që një ndër komunat kryesore në Republikën e Kosovës është Komuna e Mitrovicës, tani do të jetë gjithçka më e lehtë, sepse kemi kryeministrin Kurti si kryeministër dhe do ta kemi kryetarin e ardhshëm, zotin Bahtiri edhe për një mandat”, ka thënë ajo.

Në videon e publikuar nga vetë kandidati për kryetar të kësaj komune, Agim Bahtir, ka shkruar se me Albin Kurtin si kryeministër dhe atë si kryetar komune Mitrovica do ta ketë vëmendjen që e ka merituar gjithmonë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar qytetin e Fushë-Kosovës, ku edhe është takuar me kandidatin për kryetar të kësaj komune, Enver Bajqincën.

“Me Enver Bajqincën, kryetar të Fushë-Kosovës, po vjen një qeverisje që nuk i nënshtrohet mafisë ndërtimore dhe që e kupton shërbimin publik për qytetarët. Bashkë qeverisim, bashkë punojmë, bashkë ndërtojmë e zhvillojmë prej datës 17 tetor”, ka shkruar në Facebook faqja zyrtare e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkohë që kandidati për kryetar të Rahovecit, Visar Korenica, ka premtuar kushte më të favorshme në tregun ku shitet rrushi i këtij vendi.

Ai ka shkruar në Facebook se vreshtarët meritojnë hapësirë më moderne për të shitur rendimentet e tyre.

“Ky është një lokacion që është shndërruar në vend tradicional për shitjen e rrushit. Ndonëse jo vendi më i përshtatshëm, ne do të kujdesemi që të krijojmë aty kushte të favorshme për shitjen e rrushit. Vreshtarët meritojnë hapësirë më moderne, të pastër dhe vizibile për të shitur rendimentet e tyre. Kjo është më e pakta sa i përket këtij tregu në kuadër të investimeve që do të bëhen në bujqësi në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës”, ka shkruar Korenica.

E në Deçan, për vizitë ishte deputetja e Kuvendit të Kosovës, Fitore Pacolli, ku u takua me të rinjtë e kësaj komune dhe kandidatin për kryetar të Deçanit, Orges Tafilaj. “Kur themi rinia është e ardhmja, duhet që së pari t’ua sigurojmë një të tillë. Të punojmë shumë dhe t’iu hapim rrugë, së pari arsimim efikas e pastaj rrugë punësimi, ngase vendi ynë ka nevojë për të rinjtë. Të mos i detyrojmë ata të ikin nga vendi ku u lindën e u rritën. Kaluan sa mandate, e sa gjenerata dëgjuan fjalën “Këtë mandat na besoni”... Por, çfarë ka ndodhur në Deçan në të mirë të të rinjve?! Asgjë! Më shumë se kurrë na nevojitet përkrahja e rinisë, përkrahja e qytetarëve, përkrahja që siguron të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tonë”, ka shkruar faqja e LVV-së, Dega në Deçan.