Lokalet 2021

Kandidati i pavarur për kryetar thotë se qendra e Gjilanit duhet të rrënohet

Lulzim Behxheti, kandidat i pavarur për kryetar të Gjilanit, ka thënë se e gjithë qendra e komunës së Gjilanit duhet të rrënohet.

Behxheti ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së, se ndërtesat që ndodhen rreth rrugëve në qendër janë me mure të azbestit dhe se si të tilla, ato paraqesin rrezik të madh për jetën e qytetarëve.

“E gjithë qendra e Gjilanit duhet të rrënohet. Shkaku kryesor është azbesti, është jeta e qytetarëve, sëmundjet më kancerogjene janë në Gjilan. Të gjitha ndërtesat skaj rrugës, janë ndërtesa me azbest. Jeta e qytetarit është në rrezik”, ka thënë Behxheti.

Ai ka thënë se ka disa projekte për këtë komunë, ku prioritet është urbanizmi.

“Projektet e mija janë dy: e para është urbanizmi. Vetë profesioni im, historia ime e mundëson këtë, do të bëja ndryshime të mëdha në urbanizmin më të madh, aty është bërë shkatërrimi më i madh, helmimi i Gjilanit. Janë uzurpuar fabrikat, tokat e bujqësisë, në çdo mënyrë është degraduar dhe anashkaluar liria e vendimmarrjes së qytetarit. Do t’i ndali hovin këtyre gjërave. E kam përmendur revokimin e lejeve ndërtimore, sigurisht se parësore është jeta e qytetarit. Emergjencat nuk kanë qasje në ato objekte ndërtimore shumë shkallëshe që janë ndërtuar. Izolimet anti-zjarr nuk ekzistojnë fare, izolimet e zhurmës nuk ekzistojnë fare. Unë besoj dhe jam i bindur se nëse kam qasje në dikastere të caktuara, atëherë këto gjëra do të ndryshohen”, është shprehur ai.

Behxheti ka thënë se Gjilanin e sheh si potencial të jashtëzakonshëm për të ndërruar ideologjinë jetësore.