Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se edhe Komuna e Gjilanit po përballet me sfidat e shkaktuara për shkak mos-miratimit të buxhetit. Megjithatë, Hyseni ka thënë se mënyra se si e kanë menaxhur ka qënë ndryshe nga ajo e Komunës së Prishtinës.
“Edhe Gjilani, njësoj si kryeqyteti, po përballet me problemin e buxhetit të pamiratuar, por mënyra jonë e menaxhimit ka qenë krejt tjetër. Ne kemi respektuar plotësisht legjislacionin dhe nuk kemi hyrë në obligime pa mbulesë financiare. Mungesa e buxhetit të miratuar dhe operimi me 1/12 e buxhetit të vitit paraprak ka qenë dhe vazhdon të jetë mjaft sfidues”, ka thënë Hyseni në një postim në Facebook.
Kryetari i Gjilanit poashtu tha se shumë shpejt do ta thërrasin seancën konstituive dhe do të votojnë për bartjen e mjeteve vetanake në mënyrë që të mbulohen obligimet ekzistuese.
Për çështjen e buxhetit në vazhdimësi ka pasur akuza e kundër-akuza mes nivelit nacional e atij lokal, në veçanti me Komunën e Prishtinës.
Niveli nacional thotë se buxheti për Komunën e Prishtinës, Gjilanin, Zubin Potokun, buxheti për vitin 2026 dhe Plani i Rritjes në vazhdimësi janë mbajtur të bllokuara nga opozita. Por, opozita thotë se votimi i tyre do të ishte joligjore e jokushtetuese.