Lokalet 2021

Investimet në arsim e shëndetësi, prioritete për kandidatët për kryetar të Kaçanikut

Kandidatët për kryetar të Kaçanikut, kanë premtuar zhvillim ekonomik, investime në arsim, shëndetësi, infrastrukturë e në shumë çështje të tjera me rëndësi për qytetarët e kësaj komune.

Besim Ilazi, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Kaçanikut, njëherësh kryetar aktual, ka thënë në “Zgjedhjet në KOHË” të KTV-së se do të vazhdon me projektet që kanë mbetur dhe shumë të tjera të reja, nëse i besohet edhe një mandat qeverisës.

“Meqë PDK-ja ka qenë në qeverisje për 22 vjet radhazi do të vazhdojmë me projekte të reja. Kemi paraparë qeverisjen tonë duke u bazuar në vlera reale të buxhetit të Kaçanikut. Komuna është e vogël e cila ka kërkesa të mëdha dhe mundësi të vogla buxhetore. Jemi në hap me kërkesën e qytetarëve. Do të vazhdojmë me arsimin, ku kam ndërtuar 4 shkolla të reja përgjatë këtyre 4 viteve. Do të vazhdojmë me salla nëpër shkolla, me shëndetësi, me kulturë rini, sport. Fokusi kryesor do të jetë trajtimi i ujërave të zeza. Orientimi jonë do të jetë kryesor tek turizmi, do të shohim forma të ndryshme për t’i joshur njerëzit për ta vizituar komunën e Kaçanikut”, ka thënë Ilazi.

Shukri Luta, kandidat i pavarur, ka deklaruar se buxheti i investimeve kapitale në komunën e Kaçanikut është fyes.

Ai ka thënë se gjatë mandatit të tij, do ta kthejë besimin në institucione dhe do të zhvillojë ekonomikisht komunën.

“Kaçanikut i mungojnë shumë gjëra. Buxheti i investimeve kapitale është fyes për Kaçanikun. I kemi 2,5 milionë për investime kapitale. Kaçanikut i mungojnë tri elemente bazë: krijimi i standardit ligjor dhe sistemor. Krijimi i besimit në institucione që mungon dhe zhvillimi ekonomik, janë prioritete”, ka thënë Luta.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Kaçanikut, Shkëlqim Jakupi ka thënë se prioritet kryesor do ta ketë arsimin.

“Prioritet mbi prioritete i kemi dhënë gjithëpërfshirjes në arsim. Kemi vendos me marrë hapa konkret në rritjen e cilësisë së arsimit, duke siguruar mësimnxënie nga të gjithë nxënësit dhe duke siguruar transportin falas për nxënësit e shkollave të mesme për të gjitha fshatrat. Do të bëjmë riorganizim të sistemit arsimor dhe do ta kthejmë shkollën e mesme të Mjekësisë”, ka thënë Jakupi duke përmendur investime edhe për përmirësimin e gjendjes në sektorin e shëndetësisë.

Jeton Raka, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se furnizimi me ujë të pijshëm do të jetë prioritet i tij.

“Sot fatkeqësisht them që duhet të merremi, apo prioritet duhet të jetë furnizimi me ujë të pijshëm, me trajtimin e ujërave të zeza, me mirëmbajtjen e hapësirave publike e duke vazhduar edhe me përmirësimin e infrastrukturës shkollore. Do të vazhdojmë me përmirësimin e rrugëve lokale e urbane. Me bujqësi, subvencionimin e fermerëve e bletarëve. Në shëndetësi me rivitalizimin e ambulantave. Në arsim me depolitizimin e arsimit, duke vazhduar me digjitalizimin e administratës komunale, përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, dhe me ringjalljen e kulturës e përkrahjen e sportit”, ka thënë Raka.

Ndërkaq, Kastriot Bushi, kandidat i pavarur për kryetar të Kaçanikut, ka thënë se do të bëjë një zyre për investime të huaja në turizëm.

“Ne kemi ndërtuar një plan-ide. Kjo nënkupton një zyre për investime të huaja për turizëm. Do t’i identifikojmë problemet dhe do të kërkojmë zgjidhje në të gjitha organizatat. Do të mundohemi të krijojmë Muzeun e Komunës së Kaçanikut. Do të mundohemi t’i ndjekim praktikat për investime të huaja dhe investime direkte”. Është shprehur Bushi.

Komuna e Kaçanikut ka mbi 34 mijë banorë e mbi 30 mijë votues. Kjo komunë ka sipërfaqe prej 210 kilometra katrorë dhe 31 fshatra.