Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lokalet 2021

Haziri: Programi im ka fituar besimin edhe në zgjedhjet e kaluara, shumicën e problemeve i kemi zgjidhur

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, njëherësh kryetari aktual i kësaj komune, Lutfi Haziri ka thënë se një numër i madh i problemeve, nën udhëheqjen e tij janë zgjidhur.

Haziri ka thënë në “Zgjedhjet në KOHË” të KTV-së ai do të vazhdojë me programin për familje 2021+, i cili siç ka thënë, bazohet në katër shtylla dhe se është program që ka fituar besimin edhe në zgjedhjet e kaluara.

“Natyrisht që ka edhe probleme tjera por një numër të madh të problemeve ne i kemi zgjidhur. Programi për familjen 2021+ do të vazhdojë të implementohet, ky program ka katër shtylla dhe ka qenë program që ka fituar besimin edhe në zgjedhjet e kaluara. Implementimin e detyrave që janë mbetur nga kjo qeverisje, sipas GAP-it i bie që 18 objektiva kryesore i kam realizuar 100%, 18 detyra tjera janë në implementim e sipër dhe vetëm 2 detyra kanë mbetur për mandatin tjetër”, ka thënë Haziri.

Ai ka përmendur reformë në administratë, si dhe ka premtuar edhe ndërtimin e një shkolle dhe dy çerdheve të reja në përmbyllje të projekteve për arsim.

Haziri ka thënë se në shëndetësinë primare do të rriten kapacitetet e shërbimeve, ndërkaq ka përmendur edhe ndërtimin e autostradës që lidh Gjilanin me Prishtinën për 17 minuta.

Komuna e Gjilanit ka mbi 76,000 banorë e mbi 94,000 votues. Gjilani ka territor prej 385 kilometra katrorë e 63 fshatra.