Kronikë zgjedhore Kurti e Bulliqi zotohen se do ta përfundojnë rrugën Prishtinë-Podujevë
Përfundimin e magjistrales Prishtinë-Podujevë, ndërtimin e spitalit në Llap e miliona euro investime kanë qenë disa nga zotimet që i ka bërë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një marshi në sheshin e Podujevës. Së bashku me kandidatin për Podujevën, Shpejtim Bulliqi, kanë ecur në sheshin e këtij qyteti, ku edhe ishin mbledhur qindra qytetarë.
Një grup të rinjsh me muzikë e flamuj e nisën festën më herët se që duhej, në Podujevë. Para selisë së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, në mesditën e së mërkurës, u mblodhën shumë qytetarë për të pritur liderin e kësaj partie.
Në mesin e tyre përveç flamujve të partisë, dominonte edhe ai i Shqipërisë, Kosovës e Amerikës. Takimi me kreun e partisë, Albin Kurti, ishte në krye të sheshit, ku kishte ndalur ta priste edhe kandidati i kësaj partie, Shpejtim Bulliqi.
Fotot e përshëndetjet me qytetarë e shoqëruan Kurtin deri te një destinacion në mes të sheshit. Ndalesa e parë e kryeministrit të Kosovës ishte selia e LVV-së. Pas konsultave aty, së bashku me qytetarët marshuan deri në fund të sheshit. Kurti e Bulliqi premtuan përfundimin e magjistrales Prishtinë-Podujevë e ndërtimin e spitalit.
Kryeministri i Kosovës tha se me Bulliqin llapjanët do të kenë më shumë investime. “Në 4 vitet e ardhshme me Shpejtim Bulliqin do të bëjmë shumë punë të mbara e të mira, për Podujevën, për Besianën, me ç’rast këtu në veçanti duhet theksuar përfundimin e rrugës vitin e ardhshëm, që e lidh me kryeqytetin” ka thënë Kurti.
Derisa, Bulliqi, i cili synon edhe një mandat në Podujevë, përmendi që për pak muaj kanë përfunduar shumë punë.
“Sigurisht që ne si qeverisje lokale, nga Lëvizja Vetëvendosje, për këto 10 muaj kemi arritur të realizojmë një varg projektesh, të cilat janë të rëndësishme për jetesën e qytetarëve, por jo vetëm ato që kanë qenë të planifikuara” ka thënë ai.
Kurti u kujdes që në fund t’i falënderonte qytetarët e të tregonte se çka u votua në Qeveri, vetëm pak orë më parë.
“Po vij këtu drejt prej mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, me ç’rast e miratuam Projektligjin për bujqësi dhe zhvillim rural”, u shpreh Kurti, duke premtuar investime milionëshe në sektorin e bujqësisë.
Derisa, në Podujevë festa vazhdoi edhe pas largimit të Kurtit, fushatën për zgjedhjet e 14 nëntorit e ka vazhduar edhe kandidati për kryetar të Shtimes, Qemajl Aliu, i cili ka vizituar disa fermerë të kësaj komune. Ai është shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci, të cilët kanë premtuar përkrahje për ta.
Kreu i VV-së, Albin Kurti, pas Podujevës pasdite ka shkuar në Prizren për t’i dhënë përkrahje kandidatit të kësaj partie, Mytaher Haskuka.