Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Abdixhiku kërkon besimin e qytetarëve për kandidatët e LDK-së

Ditën e fundit të fushatës kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e kaloi bashkë me kandidatin për Prishtinën, Përparim Rama
 

Lidhja Demokratike e Kosovës të premten e ka përmbyllur fushatën zgjedhore. Kandidatët e kësaj partie kanë kërkuar votën e qytetarëve nën premtimet se do të sjellin transformim në qytete, zhvillim ekonomik, punësim, shëndetësi e arsim cilësor. Ata janë zotuar për qeverisje transparente, pa korrupsion e nepotizëm

Fushatën njëmujore, e cila u përmbyll të premten, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e quajti të pazakontë. Gjatë kohës sa ajo zgjati, Abdixhiku tha se ndonëse jo me tubime të mëdha, kanë takuar shumë njerëz nga profesione të ndryshme të cilët, siç ka thënë ai, ia kanë vërtetuar rikthimin e madh politik të LDK-së.

Në fjalën e tij në mbyllje të fushatës, Abdixhiku tha se LDK-ja në zgjedhjet e së dielës garon me ekipin më të kualifikuar në vend me kandidatë me integritet, përvojë, dije e vullnet të jashtëzakonshëm.