Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ VV-ja do fitore pa balotazh në Prizren, në Mitrovicë Bahtirin e cilësojnë akademik

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, është shprehur i bindur se në Prizren partia e tij dhe kandidati Mytaher Haskuka do të fitojnë pa balotazh. E në Mitrovicë të Jugut, kryetarit aktual e kandidatit Agim Bahtiri mbështetje i ka dhënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ia dha Bahtirit edhe një epitet për patriotizëm.

Kryetari i Kuvendit, njëherësh nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i ka dalë në mbrojtje kreut aktual të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, pas disa kritikave që i janë bërë së fundmi.

Në një tubim të Bahtirit e Konjufcës me qytetarë, ky i fundit tha se në Mitrovicë nëse nuk je njëri kombëtar, nuk i vyen askujt sado i dijshëm të jesh.

“Në aspektin kombëtar, në aspektin e politikës dhe qysh i din Agim Bahtiri interesat e popullit për kundër-kandidatët tjerë mundem me thënë që është akademik”, ka thënë Konjufca.

E kryeministri i Kosovës e kreu i LVV-së, Albin Kurti, në tubimin përmbyllës të kandidatit për Prizrenin, Mytaher Haskuka, tha se për fitoren e tij në mandatin e parë e kishte vizituar ditë e natë Prizrenin, porse kësaj radhe nuk do të ketë nevojë për një gjë të tillë.

“E kësaj radhe jam kryeministër e nuk kam kohë të vij për ditë por jam edhe më i qetë sepse e di që kësaj radhe do të fitojmë pa balotazh”, ka deklaruar Kurti.

Ndërsa kryetari aktual i Podujevës që po synon edhe një mandat ka dhënë disa premtime për urbanizëm, duke premtuar rregullimin e qarkullimit brenda qytetit përmes planit të mobilitetit dhe ndërtimin e unazës.

“Ne planifikojmë ndërtimin e rrugës, Skënderbeu dhe rrugës Xhemajl Mustafa, do të angazhohemi të mundësojmë furnizimin me ujë të pijshëm për çdo fshat dhe lagje. Gjithashtu do të bëjmë ndërtimin e rrugës përgjatë lumit Llap deri tek magjistralja Podujevë-Prishtinë”, ka thënë Shpejtim Bulliqi.

Kandidati Valon Ramadani ka premtuar investime për ndërtimin e parkut të teknologjisë moderne, i cili, siç ka thënë ai, do ta kthejë Kosovën në Luginë të Silikonit, qendër kjo globale e teknologjisë dhe inovacionit në Kaliforni.

“Ideja jonë është që ta bëjmë një mini Silicone Valley për Kosovën këtu në Ferizaj”, ka premtuar Ramadani.

Kthimin e Kosovës në Luginë të tillëe kishte premtuar qysh në 2007-n Partia Demokratike e Kosovës e në zgjedhjet e fundit nacionale premtim të njëjtë kishte dhënë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.