1 perditesime
17:52

Dragidella thotë se do ta realizojë projektin e GIZ-it për ujin, Elezaj e quan projekt “të vdekur”

Kandidati për kryetar të Komunës së Klinës, Lulzim Dragidella nga LVV, akuzon qeverisjen e deritanishme të komunës për keqmenaxhim. Ai ka thënë se në këtë komunë ka probleme të shumta, duke filluar nga infrastruktura e uji i pijshëm, për të cilin ai premton zgjidhje po qe se fiton garën.

“Premtimi ka qenë që mandati e tanishëm do rregullohet çështja e ujit. Besimi ka humbur, si të besojmë se këta e rregullojnë ujin. Kanë ndërtuar fabrikën pa ditur se a i plotëson kriteret e ujit. Pa asnjë koncept futen gypa nëpër tokë por ujë nuk ka. Unë garantoj dhe premtoj se mandatin e parë do të rregullohet uji”.

Në Debatin për Klinën në kuadër të emisionit “60 Minuta”, Dragidella ka thënë se qeverisja aktuale e ka pasur projektin për ujin me GIZ-in, por sipas tij, është neglizhuar.

“Profesori e ka pasur studimin shumë serioz për ujin në formë afatgjate nga GIZ-i gjerman, por nuk e kanë marrë seriozisht. Ne kemi planin e gjermanëve edhe do ta realizojmë, do marrim ujin në dy mundësi, nga Radavci dhe tjetri nga burimi i lumit të Istogut me kosto të përballueshme. Vetëm duhet vullnet”, tha ai.

Por, kryetari aktual i Klinës, Zenun Elezaj nga AAK, i cili kandidon edhe për një mandat, ka thënë se projekti i GIZ-it nuk është i mundur dhe se këtë e kanë konfirmuar disa herë me shumë akterë.

“Projekti i GIZ-it ka vdekur sepse është hartuar më 2015 dhe nga ai vit ka investime të konsiderueshme nga ai vit. Kam tentuar të marr ujë nga Istogu por komuna e Istogut nuk e lejon. Kjo është e pamundur dhe kjo na është thënë në të gjitha takimet. Dragidella po përmend projektin e GIZ-it, por projekti thotë që uji të merret nga Istogu ndërsa Istogu na ka thënë që kjo është e pamundur”, ka thënë ai.

Elezaj ka treguar se çfarë ka punuar për ta rregulluar çështjen e ujit gjatë mandatit të tij të parë dhe si planifikon të punojë për shtrirjen e rrjetit në tërësi.

“Ka qenë ajo fabrikë që është ndërtuar më 2015 po që nuk ka funksionuar. Kemi programin që ka startuar në bashkëpunim me CDI, një donator dhe projekti ka filluar. Janë investime rreth 1 milion e gjysmë euro për ujë që do ta zgjidhë problemin në një pjesë. Kemi projektin në bashkëpunim me MZHE dhe kompaninë rajonal Hidrodrini, do të ketë investime 600 mijë euro, që edhe aty është faza fillestare e projektit”, tha Elezaj.

17:28

Zhvillim ekonomik e ujë të pijshëm 24 orë, premtojnë kandidatët për kryetar të Klinës

Kandidatët për kryetar të komunës së Klinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV), janë zotuar se do të bëjnë zgjidhje për çështjet më problematike me të cilat përballen qytetarët e Klinës.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Klinës, njëherësh kryetari aktual, Zenun Elezaj, ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së se prioritet ka zhvillimin ekonomik të komunës.

Në kuadër të këtij prioriteti, Elezaj ka thënë se do të përfshihet edhe zona ekonomike, e cila do të jetë potencial për investitorët dhe rritjen e të punësuarve.

“Bazuar në rezultatet që kemi arritur deri më tani, kemi identifikuar të gjitha nevojat e qytetarëve dhe i kemi renditur sipas prioriteteve, do të filloja nga fusha e ekonomisë ku mendojmë të hartojmë strategjinë zhvillimore të komunës, e cila veç është përgatitur, ku do të zënë vend të gjitha ato nevoja për zhvillim ekonomik të komunës. Është përfshirë në kuadër të tij edhe zona ekonomike, që do të jetë potenciale për investitorët që do të investojnë në sektorë të caktuar dhe në rritjen e të punësuarve”, ka thënë Elezaj.

Ai ka përmendur edhe promovimin e pasurive minerale dhe minerare, ndërkohë që ka thënë se do të vazhdojnë me investime në fushën e arsimit dhe subvencionet në bujqësi, investime në shëndetësi e infrastrukturë.

Ndërkaq, Lulzim Dragidella, kandidat i VV-së për kryetar të Klinës, ka thënë se problemi kryesor me të cilin përballen qytetarët e Klinës është mungesa e ujit të pijshëm.

“Klina akoma nuk e ka të rregulluar çështjen e ujit të pijshëm. Është e kotë të bisedojmë për gjëra më të ndërlikuara, nëse kjo nevojë bazike nuk plotësohet. Qytetarët do të kenë ujë të pijshëm 24 orë gjatë qeverisjes tonë 4 vjeçare”, ka thënë Dragidella.

Ai është zotuar edhe për ruajtjen e ambientit, duke përmendur në veçanti moslejimin e ndërtimit të fabrikave të çimentos, për të cilat siç ka thënë, është diskutuar kohë më parë.

Dragidella ka përmendur edhe investimet në arsim dhe shëndetësi gjatë qeverisjes së tij, nëse merr besimin e qytetarëve të Klinës.

Komuna e Klinës ka mbi 40,000 banorë e mbi 46,000 votues. Kjo komunë ka sipërfaqe prej 308 kilometra katrorë dhe 54 fshatra.