Lokalet 2021

Zhvillim ekonomik e ujë të pijshëm 24 orë, premtojnë kandidatët për kryetar të Klinës

Kandidatët për kryetar të komunës së Klinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV), janë zotuar se do të bëjnë zgjidhje për çështjet më problematike me të cilat përballen qytetarët e Klinës.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Klinës, njëherësh kryetari aktual, Zenun Elezaj, ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së se prioritet ka zhvillimin ekonomik të komunës.

Në kuadër të këtij prioriteti, Elezaj ka thënë se do të përfshihet edhe zona ekonomike, e cila do të jetë potencial për investitorët dhe rritjen e të punësuarve.

“Bazuar në rezultatet që kemi arritur deri më tani, kemi identifikuar të gjitha nevojat e qytetarëve dhe i kemi renditur sipas prioriteteve, do të filloja nga fusha e ekonomisë ku mendojmë të hartojmë strategjinë zhvillimore të komunës, e cila veç është përgatitur, ku do të zënë vend të gjitha ato nevoja për zhvillim ekonomik të komunës. Është përfshirë në kuadër të tij edhe zona ekonomike, që do të jetë potenciale për investitorët që do të investojnë në sektorë të caktuar dhe në rritjen e të punësuarve”, ka thënë Elezaj.

Ai ka përmendur edhe promovimin e pasurive minerale dhe minerare, ndërkohë që ka thënë se do të vazhdojnë me investime në fushën e arsimit dhe subvencionet në bujqësi, investime në shëndetësi e infrastrukturë.

Ndërkaq, Lulzim Dragidella, kandidat i VV-së për kryetar të Klinës, ka thënë se problemi kryesor me të cilin përballen qytetarët e Klinës është mungesa e ujit të pijshëm.

“Klina akoma nuk e ka të rregulluar çështjen e ujit të pijshëm. Është e kotë të bisedojmë për gjëra më të ndërlikuara, nëse kjo nevojë bazike nuk plotësohet. Qytetarët do të kenë ujë të pijshëm 24 orë gjatë qeverisjes tonë 4 vjeçare”, ka thënë Dragidella.

Ai është zotuar edhe për ruajtjen e ambientit, duke përmendur në veçanti moslejimin e ndërtimit të fabrikave të çimentos, për të cilat siç ka thënë, është diskutuar kohë më parë.

Dragidella ka përmendur edhe investimet në arsim dhe shëndetësi gjatë qeverisjes së tij, nëse merr besimin e qytetarëve të Klinës.

Komuna e Klinës ka mbi 40,000 banorë e mbi 46,000 votues. Kjo komunë ka sipërfaqe prej 308 kilometra katrorë dhe 54 fshatra.