Lokalet 2021

56 shtëpi të Gjakovës pa rrugë të asfaltuar

Përgatiti: Jehona Gjinovci

Me baltë e pluhur përballen çdo herë që dalin nga shtëpia.

Banorët e 56 shtëpive të lagjes Qerim të Gjakovës ankesën më të madhe e kanë rrugën e pashtruar.

Premtimi boshe sipas tyre kanë marrë çdo herë gjatë fushatave zgjedhore nga të gjitha partitë, por që nuk u realizuan asnjëherë.

Shtrimi me zhavorr dhe mbulimi i gropave herë pas here në rrugën “Martin Dinaj” bëhet zakonisht nga vetë lagjja.

“Në lagjen tonë jetojmë bukur shumë banorë. Nga komuna na kanë premtuar shumë por asnjëherë nuk ka pas asgjë. As nuk kemi kanalizim, ujin e pijes e kemi të dobët, pak shtypje. Le që rruga është kryesore, na kanë premtuar 5-6 herë kur vije puna e votës por kurrgjë nuk ka, asnjë guri se kanë marrë prej asaj ane me qitë në këtë anë, diqysh si mbas shpinës së Zotit. Në fshatrat deri te dera e ahurit e kanë bërë asfaltin e ne në mes të Gjakovës jetojmë shumë keq, si dalin fëmijët e tanë s’kanë ndriçim, dalin qentë endacak”, thotë Avni Balaqi, qytetar i lagjen Qerim në Gjakovë.

Shkumbin Sokoli, një tjetër banor i kësaj lagje tha se kanë bërë kërkesa, por zgjidhje nuk u është bërë.

“Jemi diku 56 shtëpia, 320 banorë. Rrugën nuk e kemi të shtruar, kemi bërë kërkesë disa herë, janë bërë projektet, e kemi bërë kërkesën si lagje, premtimet jo sot, jo nesër dhe ende nuk kanë ardhur. Ndriçim nuk kemi hiq, përmbi dy kilometra. Ka qen endacak me shumicë.”

Sipas banorëve, ditë më parë është vendosur një tabelë ku është paralajmëruar fillimi i punimeve, por ditë më pas ajo është larguar së bashku me zhavorrin që kishin blerë banorët për të mbuluar vendet ku ka nevojë.

Përveç rrugës, ata nuk kanë as rrjet të kanalizimit.

Kjo sjellë problem për shkak të erërave të rënda që vjen nga lumi.

“Kanalizimin e kemi katastrofë, çdo shtëpi i kemi kanalizimit veç e veç dhe ajo që është të gjitha ujërat derdhen në lum, është e ndaluar po ne nuk kemi ku me dërguar”, thotë Sokoli.

Reagime ndaj komunës së Gjakovës ka pasur nga INPO. Sipas tyre, kjo komunë ka bërë nënshkrimin e një kontrate për procedurë të negociuar pa publikimin për kontratë.

“Bëhet fjalë për projektin sanimi/ndërtimi i rrugëve me asfalt, pra ku vlera e projektit ka qenë mbi 800 mijë euro. Komuna ka negociuar direkt me një operator ekonomik ja ka dhënë kontratën dhe kjo procedurë është e ndjeshme për faktin nuk ka drejtë se çmimet janë gjithmonë më të larta se të tregut sepse nuk ka konkurrencë nga operatori ekonomik, duhet të njoftohen dy ditë më herët që autoriteti rregullativ ka të drejtë të përdorë”, tha Qëndrim Arifi nga INPO.

Ndryshe ankesa të qytetarëve të Gjakovës është papunësia.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në Gjakovë mbi 5 mijë banorë kanë kërkuar punë gjatë muajit mars të këtij viti. Përderisa gjatë pandemisë numri i punëkërkuesve në këtë qytet ishte mbi 10 mijë.