Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ AAK-ja në Prishtinë pretendon se ka kthyer nga vetja qindra votues të VV-së

Prishtinë, 10 tetor – Premtime të shumta gjatë së dielës kanë dhënë kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetarë të komunave. Gjatë një vizite në lagjen “Dardania”, kandidati për Prishtinën nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj, ka detektuar disa probleme, si mungesa e ndriçimit, mbeturinat, problemet me parkingje, qentë endacakë, parregullsi këto që sipas tij e kanë paralizuar jetesën e shëndoshë në këtë lagje. Me programin e tij, Haradinaj ka deklaruar se ka zgjidhje konkrete dhe në afat të shpejtë kohor për secilin problem që përballen këta banorë. Ai ka thënë se rregullimi i fasadave eco për ndërtesat në “Dardani” dhe rritja e sigurisë në shkolla janë top prioritete.

“Do të rregullohet parkingu për secilin banor që banon dhe ka numër personal të banesës e parkingut, pastaj duhet të jetë ndriçimi publik edhe natyrisht edhe trajtimi i qenve endacakë, sepse është një prej problemeve që po e shqetëson tej mase kryeqytetin”, ka deklaruar Haradinaj. Ai ka theksuar se gjatë kësaj kohe sa është angazhuar për Prishtinën, atij i janë bashkuar qindra votues të Lëvizjes Vetëvendosje, madje një pjesë e tyre, ka thënë ai, janë edhe garues për konceptin 'E para Prishtina'. “Bashkë e kemi kuptuar që ndryshimi nuk vjen nga ata që ndryshojnë çdo ditë. Gara për Prishtinën s'ka parti, por ka vizion, guxim e vendimmarrje. Këtë vullnet tuajin do ta përkthej në punë e gjithëpërfshirje”, ka thënë Haradinaj.

Kandidatit të AAK-së për të parin e Vitisë, Reshat Azizi, të dielën mbështetje i ka dhënë edhe shefi i partisë, Ramush Haradinaj. Në vizitën që bëri në Viti, Haradinaj kërkoi mbështetjen e qytetarëve për zgjedhjet e 17 tetorit.

“Ne deri më tani kemi qëndruar me ju në të gjitha proceset, ne jemi krenarë me miqësinë dhe me lidhjen që kemi me Vitinë. E kam për nder të kërkoj votën tuaj më 17 tetor për listën e Aleancës me numrin 121, të cilës i prin Reshati”, ka potencuar ai.

Haradinaj vizitë i ka bërë edhe kandidatit Agron Gashi në Dragash dhe Rrustem Berishës në Pejë. Në një video të lëshuar të shtunën mbrëma shihet se tubimi i AAK-së ishte bërë në kundërshtim të plotë me masat anti-COVID. Në këtë takim me gratë e Pejës, Haradinaj tha se synim i tij dhe i AAK-së ka qenë dhe do të jetë avancimi i pozitës së gruas në shoqëri.

Në Gjakovë, kandidati Ardian Gjini është takuar me banorët e Vraniqit, Doblibares dhe Bërdosanës, ku pati vetëm fjalë të mira për qeverisjen e tij, e cila, nëse i vazhdohet, atëherë, sipas tij, këto fshatra do të bëhen edhe më moderne e bashkëkohore.

“Nëse i shohim shifrat se çka ka ndodhur në Gjakovë për katër vjet, atëherë duhet me u mbush pak shpresë secili”, ka deklaruar ai.

Në Podujevë, kandidati Besnik Tahiri ka folur për mundësitë e zhvillimit ekonomik, ku ka thënë se do të angazhohet për sjelljen e investimeve të huaja të cilat do t’u krijojnë mundësi punësimi të rinjve.

“17 tetori do të jetë ditë feste. Nuk do të jetë vetëm dita kur do të vendoset për një mandat katërvjeçar, por do të vendoset për një drejtim. Një drejtim që për një dekadë rresht do ta sjellë Podujevën në një komunë model”, ka thënë Tahiri.

E kandidati për Malishevën, Kastriot Berisha, ka kritikuar qeverisjen aktuale në këtë komunë, e cila, sipas tij, nuk ka bërë asgjë gjatë këtij mandati në fshatrat Panorc dhe Garaqevë.

“Ne vizituam tualetet e shkollës në Panorc, që është simbol i mospunës së qeverisjes së kaluar, që është interesuar për xhepat e vet, të padronëve e miqve të vet. Ne do t’u japim fund këtyre njerëzve më 17 tetor, që janë e keqja dhe antipod i njerëzve të shumtë punëtorë e atdhetarë që ka Komuna e Malishevës”, ka thënë Berisha.