Albin Kurti në Malishevë e Glauk Konjufca në Prizren të premten u dolën krah kandidatëve për kryetarë në këto komuna nga Lëvizja Vetëvendosje. Mytaher Haskuka, kandidat për kryetar të Prizrenit, ka thënë se tashmë LVV-ja i ka të gjitha postet e institucioneve dhe se vetëm duhet të kenë një asamble të fortë.
Kështu është pritur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në lagjen “Kurillë” të Prizrenit, gjatë një takimi për fushatën zgjedhore.
Konjufca ishte i shoqëruar edhe nga kandidati për kryetar i kësaj komune, Mytaher Haskuka.
“Sa i përket Prizrenit unë mendoj se është i hijshëm edhe vetë, por me Mytaher Haskukën është bërë edhe më i bukur”, është shprehur Konjufca.
“Tash e kemi parlamentin tonë, kemi kryeministrin tonë, kemi edhe presidenten, tash duhet edhe njëherë në Prizren të kemi një asamble të fortë komunale”, ka thënë Haskuka.
E Shpejtim Bulliqi, kandidat për kryetar të Podujevës, ka vendosur që të tregojë punët që ka realizuar gjatë këtij mandati dhe për të treguar disa nga zotimet për mandatin tjetër.
“Kemi vu në funksion sistemin e pritjes në radhë e cila ofron shërbimet më të shpejta e më cilësore për qytetarët. Projekti on stop shop, ku të gjitha shërbimet mund të merren me një vend, kemi bërë vendosjen e një kioske të ri në Merdar dhe së shpejti do vendosen edhe tri kioske të reja”, ka thënë ai.
Komuna e Malishevës ishte vendi i radhës që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte vendosur ta vizitonte. Ai së bashku me kandidatin për kryetar të Malishevës nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, takuan qytetarë e aktivistë të kësaj partie.