Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ LDK-ja premton vende pune e mbështetje për rininë

Rinisë mitrovicase, pretendenti për kryetar të Mitrovicës nga radhët e LDK-së Armend Agolli, u ka premtuar arsim cilësor, të sigurt e punësim.

Në një tubim me qytetarë, ku erdhi për t’i dhënë mbështetje edhe kandidati për Pejën, Gazmend Muhaxheri, Agolli tha se ndryshimin në Mitrovicë do ta nisë me rininë.

“Gati 3 mijë familje janë me asistencë sociale kurse fatkeqësisht është ulur numri i studentëve e interesi jonë është që ta ndërtojmë Mitrovicën, që rininë ta kemi të punësuar, interesi jonë është që rinia të shkojë në shkolla të sigurta, interesi jonë është që të kemi universitete të njohura, jo në fund”, ka thënë Agolli.

“Për Mitrovicën na u dashtë me gjet një kandidat dhe ideja ime ishte që me gjet një kandidat që është njeri familjar i suksesshëm, mjek i zoti që mundet mi dalë zot këtij vendi dhe me bo një ndryshim me kthy Mitrovicën nga ajo që ka qenë më herët”.

Në Ferizaj, kandidatja për kryetare, Sibel Halimi, ka thënë se brenda katër vjetëve do të mbulohet i gjithë qyteti me shporta adekuate për klasifikimin e mbeturinave.

Ndërsa riciklimin e tyre ka thënë se do ta bëjë nëpërmjet kompanive private të riciklimit, ide të cilën e ka quajtur të jashtëzakonshme.

“Problemi i mbeturinave nuk është vetëm largimi i tyre por edhe riciklimi e ne e kemi një ide të jashtëzakonshme se si me i mbledh mbeturinat në Komunën e Ferizajt dhe me i riciklu", ka deklaruar Halimi.

Të dielën programin qeverisës e ka prezantuar kandidatja për Deçanin, Hyri Dobrunaj, e cila ndër prioritetet ka përmendur furnizimin me ujë, trajtimin e ujërave të zeza, shëndetësinë, arsimin cilësor e punësimin.

“Deri në fund të mandatit, nuk do të ketë një familje deçanase që së paku një anëtar të familjes të mos e ketë të punësuar”, ka potencuar ai.

Në këto ditë fushate, kandidati për Vushtrrinë, Xhafer Tahiri, ka arritur t’i bindë që t’i kthejë kah LDK-ja disa ish-aktivistë të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Në Stanoc të Epërm ish-aktivistët e PDK-së, Ramadan Cakaj, Sami Cakaj, e shumë të tjerë na u bashkuan sot në rrugëtimin tonë që Vushtrria të jetë e barabartë për të gjithë”.

Të shtunën mbrëma, kandidati për Istogun, Ilir Ferati, ka organizuar një tubim elektoral në kundërshtim me masat anti-COVID, në të cilin i pranishëm ka qenë edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.