Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ LDK-ja i premton Mitrovicës shtëpi për të moshuarit

Fushatën për Gjilanin kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, e ka vazhduar nëpërmjet bshkëbisedimeve me qytetarë.

Ai është takuar me banorët e Livoçit të Ulët dhe u ka premtuar atyre zhvillime në infrastrukturë.

“Një numër i projekteve në infrastrukturë që janë ma pak nëpër lagje, lidhja në mes të dy Livoceve, vazhdimi i rrugës deri në Kllokot përmes Livocit i cili nënkupton rregullimin e trotuareve të reja dhe rindërtohet rruga sepse deri në Kllokot do të ndërtohet në një standard tjetër rruga që e lidh Gjilanin dhe këtë pjesë”, ka thënë Haziri.

Ndërsa kandidati për Vushtrrinë, Xhafer Tahiri, ka vendosur që fushatën ta vazhdojë duke ua rikujtuar qytetarëve punët që ka kryer gjatë këtij mandati.

“120 euro për fëmijët e porsalindur, vizita mjekësore shtëpiake, 70 shtëpi të ndërtuara, laboratorë e të tjera”.

Tahiri ka premtuar se në rast të marrjes së mandatit, ai do të punojë me ritëm edhe më të shtuar në realizimin e projekteve.

Nëpërmjet postimeve në Facebook, ai gjithashtu ka treguar se është takuar me banorët e fshatit Novolan, të cilëve u ka premtuar punësim të rinjve dhe grave.

E kandidati për Mitrovicën, Armend Agolli, ka premtuar ndërtimin e shtëpisë për të moshuarit.

Agolli ka thënë se përveç të moshuarve me qëndrim të përhershëm, aty do të kenë mundësi të qëndrojnë edhe të moshuarit të cilët kanë nevojë për qëndrim ditor.

E shpalosjen e kandidatëve për asamblistë e ka vazhduar edhe gjatë ditës së nëntë të fushatës kandidati për Prizrenin, Anton Quni.

Ka premtuar se kandidatët e tij do të përkushtohen maksimalisht në punë, për të mirën e të gjithëve.