Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Gjakova nën udhëheqjen e saj do të bëhet një qytet me mobilitet ndryshe.
Kusari-Lila ka thënë në “Java Sonte me Rronin” në KTV se gjatë mandatit të saj, Gjakova do të shndërrohet në një qytet me shumë biçikleta dhe njerëz që ecin në këmbë.
Ajo po ashtu ka thënë Gjakova do të ketë menaxhim më të mirë të mbeturinave.
“Në vitin 2024 ose 2025 në Gjakovë do të shohësh një qytet i cili ka mobilitet krejt ndryshe, shumë biçikleta dhe njerëz që ecin në këmbë, do të shohësh parkun industrial, një dinamikë të të rinjve dhe reja që do të jenë pjesë e inkubatorit hi-tech dhe një qytet të pastër me menaxhim të mbeturinave dhe ki me pas mundësinë me shku në Erenik me u la, sipas dëshirës tënde dhe me thënë e paskan bërë gjakovarët plazhin e vetë”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila ka qenë kryetare e Komunës së Gjakovës për një mandat, nga viti 2013 deri më 2017.
Aktualisht është ushtruese e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.