Shumë kompani po i rirregullojnë zyrat e tyre për t’iu ndihmuar punëtorëve që të ndihen më të sigurt teksa u kthehen vendeve të punës, pas pauzës shkaku i pandemisë. Përmirësimet përfshijnë sistemet më të mira të qarkullimit të ajrit dhe krijimin e hapësirave mes tavolinave
Koronavirusi veçse e ka ndryshuar mënyrën se si punojmë, por tani po e ndryshon edhe vendin ku punojmë.
Shumë kompani po i rirregullojnë zyrat e tyre për t’iu ndihmuar punëtorëve që të ndihen më të sigurt teksa u kthehen vendeve të punës, duke ndërhyrë në përmirësimin e sistemeve të qarkullimit të ajrit dhe në krijimin e hapësirave mes tavolinave. Arkitektët dhe disenjatorët kanë bërë të ditur se ka ardhur koha për eksperimentim dhe reflektim.
“Steelcase”, kompani e mobileve për zyrë në Grand Rapids të Michiganit, ka thënë se hulumtime e tyre kanë treguar se gjysma e kompanive globale planifikojnë ridizajnim të hapësirave të punës këtë vit.
“Ky vit ju ka shtyrë që të mendoni, ndoshta më shumë sesa më parë se ‘pse shkojmë në zyrë?’” ka thënë Natalie Engels nga kompania e arkitekturës “Gensler”. Por, jo çdo kompani po bën ndryshime teksa Engels thekson se nuk është se një gjë e tillë është medoemos e nevojshme. Mirëpo disenjatorët kanë thënë se shumë kompani janë duke kërkuar mënyra të reja që t’u ofrojnë siguri punëtorëve në zyrë. Kjo gjë e ka shtyrë kompaninë farmaceutike dhe ushqimore “Ajinomoto” për ta zgjeruar dizajnin e selive të reja në Amerikën Veriore javën e kaluar.
Punëtorët e “Ajinomotos” janë rikthyer në vendet e punës në maj, në një ndërtesë me korridore të mëdha dhe me panele xhami mes zyrave për t’iu dhënë hapësirë dhe për t’i bërë që të ndihen më të sigurt. Për t’ua përmirësuar shëndetin mendor, kompanitë e kanë transformuar një hapësirë të planifikuar pune në një dhomë të ngjashme me SPA qendër, të pajisur me shtretër dhe muzikë të lehtë.
“Ndoshta është e tepërt, por ndoshta u jep rehati atyre që po kanë vështirësi që të ambientohen me hapësirën e punës”, ka thënë Ryan Smith, zëvendëskryetar i “Ajinomotos”.
Shobha Surya, menaxhere e projekteve dhe shitjeve në kompani, është mbushur energji nga hapësira. “Zyra të jep një lloj baraspeshe të jetës në shtëpi dhe në punë”, ka thënë ajo. “Jeni më të përqendruar dhe nuk ju pengon asgjë”.
Ajo thotë se është gjithashtu e lumtur që po punon përsëri së bashku me kolegët e saj.
Sondazhet tregojnë se gjëja që punonjësve u mungon më së shumti lidhur me punën në zyrë është shoqërimi dhe bashkëpunimi me kolegët, ka thënë Lise Newman, drejtoreshë në firmën e arkitekturës “SmithGroup”. Kompanitë po përpiqen ta inkurajojnë këtë raport duke ndërtuar më shumë qendra sociale për punonjësit. Disa imitojnë kafene, me dysheme druri, ulëse dhe llamba varëse.
“Kompanitë janë duke u përpjekur që ta krijojnë ndjesinë se ky është një klub i mirë, ku njerëzit duan të vijnë", ka thënë Newman.
“Steelcase” e ka shndërruar një prej lobeve të saj në hapësira të rehatshme takimesh me madhësi të ndryshme, të ndara nga bimët. Monitoruesit për video mund të rrotullohen në mënyrë që njerëzit që punojnë në distancë të mund të përfshihen në diskutime.
Por pas një viti pune nga shtëpia, disa punonjës duan privatësi, kështu që “Steelcase” ka shtuar më shumë kabina me xham për telefonata privatë dhe kabina me dyer të vogla rrëshqitëse.
Mark Bryan, disenjator interieri në “M + A Architects” me seli në Ohio, pret një kulturë më të mirë zyre në të ardhmen, me vende të ndryshme për të punuar çdo ditë. Introvertët mund të zgjedhin një dhomë të vogël, private; ekstrovertët një tryezë në kafenenë e zyrës.
Jo çdo ndryshim i arkitekturës në punë është i përhershëm. Verën e kaluar, kur në “Steelcase” filluan që të kthehen disa punëtorë, ata i larguan tavolinat në kafene shumë larg njëra-tjetrës dhe nuk lejuan që më shumë se një person të ulej në tryezë. Kjo e bëri hapësirën aq dëshpëruese, saqë askush nuk dëshironte të ulej atje, ka thënë shefi ekzekutiv i “Steelcase”, Jim Keane. “Një mësim i rëndësishëm është se, po, duhet të ketë siguri, por gjithashtu duhet të jetë vend frymëzues”, ka thënë ai.