Sipas një studimi të ri zemërimi i ndihmon njerëzit në zgjidhjen e detyrave të ndërlikuara më me efikasitet, raporton The Guardian.
Asociacioni Psikologjik Amerikan anketoi 1000 persona të cilët fillimisht, nëpërmes imazheve u nxitën të përjetojnë emocione specifike si zemërimi, lumturia e trishtimi, dhe pastaj iu dhanë detyra si zgjidhja e enigmave dhe videolojëra sfiduese.
Studiuesit arritën në përfundim se ata që ishin të zemëruar i kryenin këto detyra me efikasitet më të lartë.
“Njerëzit shpesh besojnë se lumturia është ideale dhe shumica e njerëzve e ndjekin lumturinë si mision të madh jetësor, por gjetjet tregojnë se zemërimi rrit përpjekjet drejt arritjes së një qëllimi të dëshiruar, duke rezultuar shpesh në sukses më të madh”, ka thënë autorja e studimit Heather Lench.
Ajo gjithashtu ka thënë se kjo pikëpamje duhet ndryshuar tashmë dhe se studimet sugjerojnë se ndonjëherë edhe përzierjet emocionale ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve.
“Këtu i përfshij edhe emocionet negative si zemërimi, që rezultoi me rezultatet më të mira në studim”, ka thënë autorja.