Lifestyle

Zakonet misterioze të mbarështimit të peshqve të akuariumit

Tom Bowlingut iu desh një kondicioner i prishur që ta kuptonte – gati pas tetë muajsh dështimi – se si të rritej peshku tropikal me ngjyrë roze e të verdhë, i njohur si anthiasi me njolla.

Bowling, rritës peshqish dekorativë me bazë në Palau, e kishte mbajtur peshkun në ujë të freskët duke u përpjekur t’i ruante temperaturat në të cilat zakonisht gjenden krijesat e ujërave të thella. Mirëpo, kur kondicioneri u prish temperatura e ujit u rrit me disa gradë gjatë natës – solli rezultate befasuese. “Ata filluan të pjellin – u çmendën duke hedhur vezë kudo”, ka bërë të ditur Bowling.

Ekspertët anembanë botës e ndryshojnë temperaturën e ujit, luajnë me dritën dhe provojnë përzierje të ndryshme të grimcave mikroskopike të ushqimit me shpresën se do të krijohet ndonjë grup i veçantë në kushte të veçanta dhe do t’i frymëzojnë peshqit dekorativë të shumohen. Ekspertët shpresojnë në largimin e tregtisë së peshqve të akuariumit nga peshqit e egër, të cilët shpesh kapen me helme që mund t’i dëmtojnë ekosistemet e koraleve.

Ambient i përshtatshëm

Shumica e miliona peshqve vezullues që vërtiten rreth akuariumeve me ujë të kripur në SHBA, Evropë, Kinë dhe çdo vend tjetër, janë marrë nga shkëmbinjtë koralorë në Filipine, Indonezi dhe vende të tjera tropikale.

Kur i vënë në kurth, shpesh i trullosin duke përdorur kimikate si cianidi. Pastaj transferohen te ndërmjetësit dhe më pas fluturojnë në të gjithë globin, duke përfunduar në akuariume, shtëpi, qendra zyrtare, restorante e zyra mjekësore. Ekspertët kanë vlerësuar se “përqindje të mëdha” ngordhin rrugës.

Një tjetër problem është se vetëm rreth 4% e peshqve të akuariumit të ujërave të kripura mund të rriten në robëri, kryesisht sepse shumë prej tyre kanë cikle riprodhuese të përpunuara dhe faza delikate të hershme të jetës të cilët ndonjëherë kërkojnë kushte misterioze që madje edhe shkencëtarët e mbarështuesit ende përpiqen t’i kuptojnë.

Për dekada ekspertët kanë punuar për t’i zbuluar sekretët e mbarështimit të peshkut detar. Përparimet nuk po vijnë shpejt, është shprehur Paul Andersen, kreu i Fushatës së Peshkimit në Akuariumin e Koraleve, i cili punon për të mbështetur peshkimin e qëndrueshëm të shkëmbinjve koralorë.

“Duhen vite investimi, kërkimi e zhvillimi, shpeshherë për të bërë hapa drejt përparimit”, ka thënë ai. Dhe pastaj akoma më gjatë, tha ai, për të sjellë në treg speciet e reja të trajnuara për robëri.

Idoli Maure, peshk me vija të zeza dhe të verdha me një shpinë me pendë dorsal, kërkon shumë hapësirë. Mandarinat e gjelbra me vija të qarta preferojnë të pjellin pak para perëndimit të diellit duke kërkuar cikle shumë të veçanta ndriçimi për t’u shumuar në robëri. Siç zbuloi Bowling në Palau, anthiasët me njolla kërkojnë temperatura shumë specifike.

“Duhet t’u kushtoni vëmendje të gjithë parametrave që do ta bëjnë një peshk të lumtur”, ka shpjeguar Andersen. “Disa specie janë vërtet të buta, delikate dhe të ndjeshme ndaj këtyre lloj gjërave”.

Ditët e hershme

Pas pjelljes së peshkut mbarështuesit shpesh e gjejnë veten duke u përballur me pjesën më sfiduese të procesit: periudhën e larvave, e cila është koha menjëherë pasi peshku çelet. Rrjedha e ujit duhet të jetë e duhur, mirëpo peshqit e rinj janë aq të brishtë sa duhet të mbrohen nga filtrat dhe madje edhe nga muret e rezervuarit.

Ushqimi i parë është po ashtu shumë i rëndësishëm, ka sqaruar Andrew Rhyne, profesor i biologjisë detare në Universitetin Roger Williams në Rhode Island. Gjatë ditëve të para shumë peshq larvash nuk kanë sy apo gojë dhe jetojnë nga e verdha e tyre.

“Kur ata më në fund formojnë sytë ose gojën, është shumë e rëndësishme të kemi krijuar një mjedis që i lejon ata të marrin një pickim të parë të zooplanktonit në mënyrë që të bëhen më të fortë dhe të vazhdojnë të rriten”, ka treguar Rhyne. “Është si lloj magjie për të gjithë këtë”.

Shpesh kafshimi i parë është pjesë kritike e sistemit ushqimor të oqeanit që strehon misteret e veta: të quajtur kopepodë.

Në Laboratorin e Akuakulturës Tropikale të Universitetit të Floridës në Ruskin – ku peshku blu tang “Dory” i popullarizuar nga filmi “Finding Nemo” u trajnua me sukses për herë të parë – profesori i asociuar Matt DiMaggio dhe studentët e tij kanë punuar për të prodhuar kopepodë.

Më shumë se 10 mijë milje larg laboratorit të Floridës, në bregun verior tropikal të Balit, Indonezi, mbarështuesi i njohur i peshkut Wen-Ping Su ecën midis rezervuarëve të mëdhenj të peshkut me çimento, me recetën e tij zooplanktonike në një rezervuar rrethor aty pranë.

Su ka thënë se ai ka 10 çelësa të ndryshëm të suksesit që ai ka zhvilluar për gati dy dekada. Këta çelësa i kanë mundësuar atij të mbarështojë peshq që askush tjetër nuk i ka, duke përfshirë peshkun engjëll mbretëror me vija dhe peshkun lakuriq i rrethuar me ngjyrë portokalli e me trup të zi.

Image

Sekretet me vlerë

Mirëpo, ta pyesësh Wen-Ping Su-në nëse do t’i ndante detajet në lidhje me këtë, përgjigjja prej tij vjen shpejt, duarkryq e me një buzëqeshje të madhe thotë: “Jo”.

Është e njëjta përgjigje edhe nga Bowling, i cili ndalon kur pyetet për ndarjen e sekreteve të sukseseve të tij më të larta. Kjo është pjesa që unë me të vërtetë nuk dua ta tregoj”, qesh ai.

Këto sekrete janë mjetet e tyre të jetesës. Anthias Bowling, i cili pati rezultate befasuese nga kondicioneri i prishur renditet për 700 dollarë në faqen e internetit të kompanisë së tij. Peshqit e edukuar nga Su shiten gjithashtu për qindra dollarë në internet.

Por në pesë vjetët e fundit ka disa organizata - të tilla si Rising Tide Conservation, organizatë joqeveritare e përkushtuar për zhvillimin dhe promovimin e akuakulturës - që kanë punuar për të promovuar shkëmbimin e informacionit, ka theksuar DiMaggio.

“Kjo ka ndihmuar në përshpejtimin e numrit të specieve që ne kemi qenë në gjendje të rrisim gjatë asaj kohe dhe shumëllojshmërinë e specieve gjithashtu”.

Laboratori kërkimor i Rhynes - i cili përfshin mbarështimin e peshqve me dhëmbë dhe me vija të kuqe - ka punuar për t’i ndarë kërkimet e tij edhe me mbarështuesit.

Por Rhyne dhe mbarështuesit e tjerë e pranojnë se nuk ka gjasa që të gjithë peshqit e akuariumit të rriten në robëri, sepse disa janë shumë të vështirë, ndërsa të tjerët janë të bollshëm në natyrë.

Dhe rritja e një peshku nuk garanton se do të arrijë ose do të dalë mirë në treg, tha Rhyne. Peshku i edukuar në robëri kushton më shumë dhe ekspertët në industrinë e peshkut pranojnë se do të duhej kohë për të bindur konsumatorët që duhet të paguajnë më shumë për ta.

Përktheu: Blerta Haxhiu