Sëmundjet kronike si sëmundjet e zemrës, kanceri dhe diabeti mbeten ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve në botë.
Studimi i ri global, i publikuar në revistën The Lancet, ka treguar se numri i vdekjeve nga këto sëmundje është duke u ulur në shumicën e vendeve, por ritmi i këtij progresi thuhet se është ngadalësuar ndjeshëm vitet e fundit, veçanërisht në vendet e pasura si Shtetet e Bashkuara, ka raportuar The New York Times.
Sipas studimit, gjasat për të vdekur nga një sëmundje kronike mes lindjes dhe moshës 80 vjeç ranë në rreth 150 vende nga viti 2010 deri më 2019. Por krahasuar me dekadën paraardhëse, ulja ishte shumë më e ngadalshme, në disa raste madje pati edhe rritje.
Në SHBA, rënia e numrit të vdekjeve nga sëmundjet kronike ishte e dukshme mes viteve 2001 dhe 2010, por më pas progresi pothuajse u ndal për nëntë vitet që pasuan.
Te të rriturit e rinj (20–45 vjeç), gjasat për të vdekur nga sëmundje kronike madje u rritën, një fenomen i rrallë për vendet e pasura.
Po ashtu, vdekjet nga sëmundje neuropsikiatrike si Alzheimeri dhe çrregullimet nga përdorimi i alkoolit apo drogës u shtuan në këtë periudhë.
Ndërkohë, vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, përfshirë Azerbajxhanin, Uzbekistanin, Moldavinë dhe Rusinë, shënuan rënien më të madhe të vdekjeve nga sëmundjet kronike. Në disa vende të Amerikës Latine, Karaibeve, Afrikës dhe Azisë Jugore pati rritje të lehta.
Doktoresha Karen Hacker, ish-drejtoreshë e qendrës për parandalimin e sëmundjeve kronike në CDC, po e konsideron lajm të mirë rënien e numrit të vdekjeve por shqetësohet për rritjen e numrit të personave të prekuer nga sëmundjet kronike.
“Lajmi i mirë është se numri i vdekjeve në përgjithësi ka rënë. Lajmi i keq është se ende ka shumë njerëz, në SHBA e kudo, që sëmuren dhe vdesin nga sëmundjet kronike, dhe ky numër pritet të rritet ndërsa popullata plaket”, ka thënë ajo.
Ekspertët thonë se rënia e madhe e numrit të vdekjeve që nisi në vitet ’60 lidhet me masat për mbrojtjen e shëndetit publik. Raporti i vitit 1964 për dëmet që shkakton duhani uli ndjeshëm konsumimin e tij, ndërsa ilaçet për tensionin, yndyrën e pashëndetshme në gjak (apo kolesterinën) dhe sheqerin në gjak ndihmuan të parandalohen sulmet në zemër, sulmet në tru dhe diabeti.
Në vitet e fundit, udhëzimet e reja klinike dhe trajtimet më të shpejta në spitale kanë rritur shanset për mbijetesë.
“Megjithatë, gjërat që ndihmuan më parë duket se kanë arritur efektin maksimal, ndërsa faktorët që dëmtojnë po shtohen”, ka thënë Magali Barbieri, demografe në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley.
Ajo ka përmendur si shembull obezitetin dhe diabetin, që po rriten dhe shtojnë rrezikun për sëmundje të tjera.
Në SHBA, shkalla e vdekjeve nga kanceri ka rënë me 34 për qind në 30 vjetët e fundit, kryesisht falë uljes së rasteve të kancerit të mushkërive nga duhani, vaksinave kundër hepatitit B dhe HPV-së, si dhe mundësive për zbulimin e hershëm.
Por së fundmi, përparimi është ngadalësuar.
Profesori Majid Ezzati nga Imperial College London, autor kryesor i studimit ka thënë se ka njerëz që nuk janë duke përfituar nga përmirësimet, dhe se numri i tyre po rritet.
“Ka segmente të popullsisë që nuk po përfitojnë nga përmirësimet, dhe duket se ky segment po zgjerohet”, ka thënë ai.
Ezzati solli shembullin e vendeve si Koreja e Jugut, Japonia, Norvegjia dhe Suedia, që kanë arritur të vazhdojnë uljen e numrit të vdekjeve falë sistemeve më të fuqishme të kujdesit parësor, sigurimeve shëndetësore universale dhe programeve gjithëpërfshirëse të edukimit shëndetësor.
“Koreja e Jugut tregon se mund të arrijmë nivele shumë më të ulëta”, ka shtuar ai.