Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Vdekjet ndalin testimet e klorikinës në Brazil

Mjekët përreth botës janë duke u përpjekur që ta zbulojnë një vaksinë për virusin SARS-CoV-2, por pos kësaj janë vënë në kërkim edhe të përbërësve aktivë që ndihmojnë në luftimin e virusit. Medikamenti i njohur kundër malaries, resokin, ka bërë bujë të madhe gjatë javëve të fundit. Përbërësi aktiv i tij, klorikina, me derivatin e tij hidroksiklorikinën, janë përdorur për dekada me radhë për trajtimin e malaries.

Në bazë të testimeve të kryera në Kinë dhe Francë, substanca aktive klorikinë është thënë që e ka ngadalësuar zhvillimin e koronavirusit të ri në kultura qelizore, duke treguar se mund ta zvogëlojë sasinë e virusit, te pacientët ku virusi ka prodhuar simptoma të rënda. Hulumtuesit kanë bërë të ditur se përbërësi aktiv, për rrjedhojë mund të përdoret edhe si medikament antiviral. Pavarësisht shqetësimeve për rëndësinë dhe mënyrën se si janë kryer hulumtimet dhe efekteve anësore të mundshme, testimet klinike për substancën e njohur aktive janë bërë edhe në shtete të tjera.

Testi vdekjeprurës në Brazil

Faza e dytë e testimit në Brazil, në të cilën humbën jetën 11 pacientë si pasojë e aritmisë apo dëmtimit vdekjeprurës të zemrës, tregon se sa mund të jetë e rrezikshme doza e lartë e klorikinës, veçanërisht duke kombinuar me antibiotikun azitromicin dhe me medikamente të tjera.

Studimi i financuar nga Qeveria braziliane, por pa kaluar nëpër procesin e vlerësimit shkencor nga shkencëtarë të jashtëm të fushës, i publikoi rezultatet në portalin shkencor “MedRxiv” dhe përfshinte mostrat e 81 pacientëve spitalorë.

Supozohej që rreth 440 pacientë të bëheshin pjesë edhe e fazës së dytë “B” të studimit për “CloroCovid-19”.

Ekipi i Marcus Lacerdas, nga Instituti Tropikal në Manaus, në shtetin brazilian të Amazonës, i ka dhënë gjysmës së pacientëve doza prej 450 miligramësh të klorikinës, dy herë në ditë, për pesë ditë radhazi (me një dozë totale prej 2.7 gramësh). Në studim nuk është përfshirë ndonjë grup për eksperimentimin e efektit placebo, kur pacientëve i jepet një medikament që nuk është klorikinë, por u thuhet e kundërta.

Dozë e tepërt?

Normalisht medikamentet kundër malaries përdoren në doza më të vogla dhe vetëm për pak ditë. Në Brazil, u përdor në doza më të mëdha sesa ishte rekomanduar nga autoritetet kineze dhe nga Qendra për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve (CDC) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Autoritetet shëndetësore të krahinës kineze Guangdong rekomanduan trajtim me 500 miligramë, dy herë në ditë, për 10 ditë me radhë, (që arrin totalin prej 10 gramësh). CDC-ja ka rekomanduar dozë fillestare prej 600 miligramësh dhe dozë prej 300 miligramësh pas 12 orësh, dy herë në ditë, dy deri në pesë ditë me radhë (total prej 3.3 gramësh).

Mjekët në Brazil kanë vërejtur shenja të aritmisë te pacientët brenda dy apo tre ditë, pasi që ata nisin të marrin doza më të larta.

Javën e kaluar specialistët kanë njoftuar në revistën shkencore të Asociacionit të Mjekëve Kanadezë për rreziqet e zgjatimit të tepërt të intervalit të rrahjeve të zemrës në kardiograf, kur përdoret klorikina dhe hidroksiklorikina - veçanërisht në kombinim me antibiotikun azitromicin.
Sipas këtij raporti, kombinimi i tyre mund të shkaktojë hipoglikemi (ulje jonormale të nivelit të sheqerit në gjak), lodhje, konfuzion e deluzione, si dhe aritmi në zemër. Një mbidozë e tyre mund të shkaktojë sulme epileptike, gjendje kome dhe në fund edhe sulm në zemër, thuhet në raport.


Kombinim shkatërrues medikamentesh
 

Pacientë të shumtë me COVID-19 janë dukshëm më të vjetër se pacientët me malarie dhe shpesh kanë edhe probleme të tjera shëndetësore. Në këtë grup me rrezikshmëri të lartë, trajtimi me dozë të madhe klorikine supozohet se mund shkaktojë më shumë dëme në muskulin e zemrës, por edhe aritmi të rëndë në zemër.

Pasi që nuk ka pasur grup eksperimentimi me efektin placebo të përfshirë në studimin në Manaus, është e vështirë të konstatohet se sa vdekje janë shkaktuar nga klorikina. Kjo sepse pacientët u trajtuan edhe me antibiotikun azitromicin, që e zgjat intervalin e rrahjeve të zemrës. Disa pacientë kanë marrë edhe oseltamivir (Tamiflu), që ka efekte negative në ritmin e rrahjeve të zemrës.


Njerëzit si minj laboratori?

Në parim, dy përbërësit aktivë klorikinë dhe hidroklorikinë janë të njohur dhe të sigurt. Medikamenti resokin, i prodhuar nga grupi farmaceutik e kimik gjerman “Bayer” është përdorur me sukses si medikament për malarie apo edhe si parandalues në vitet ‘30. Sidoqoftë, efektet anësore të tij janë të njohura pothuajse që nga ajo kohë. Medikamentet e tilla, në doza shumë të mëdha, qoftë edhe të testuara dhe të provuara, mund të shkaktojnë pasoja të rënda në raste të vetëmjekimit apo edhe te grupet e personave më të rrezikuar.
Hulumtimet e mëtejshme duhet të tregojnë nëse testi klinik në Brazil ka zbatuar mbidozë në mënyrë neglizhuese dhe nëse i kanë shpërfillur paralajmërimet. Rezultati vdekjeprurës i fazës së dytë në Brazil ka rastisur të bëhet në kohën kur u bë një diskutim në televizion, që është cilësuar botërisht si racist, në mes të dy mjekëve francezë që donin ta shndërronin Afrikën në laborator të madh testues për vaksinën kundër koronavirusit.

Dy mjekët e kanë përmendur mungesën e resurseve dhe mungesën e mbrojtjes nga virusi në këtë kontinent si arsye për propozimin e tyre. Ata kanë thënë se studimet për sëmundjen e SIDA-s janë bërë duke u thirrur në të njëjtat arsye. Diskutimi provokues ka nxitur reagime të ashpra në nivel global.

Testimi klinik ende i nevojshëm

Në kërkimin e vaksinës apo medikamentit, edhe për koronavirusin e ri SARS-CoV-2, testimi klinik është i domosdoshëm. Sqarimi i efikasitetit, se a i shënon medikamenti efektet e dëshiruara terapeutike, mund të bëhet vetëm përmes bashkëpunimit të prodhuesve të medikamenteve, klinikave e institucioneve mjekësore.

Faza e dytë zakonisht përfshin 100 deri në 500 pacientë vullnetarë, si pjesë të testit. Në shumicën e shteteve ka kritere strikte për testim klinik, në mënyrë që të ulet rreziku për pjesëmarrësit e testimeve. Në shumicën e shteteve, duhet miratim paraprak i këtyre vullnetarëve, i cili duhet të jepet gjithsesi me shkrim.

Mjeku që ofron trajtimin obligohet ta njoftojë secilin pjesëmarrës të testimit deri në hollësi mbi efektet pozitive dhe të gjitha rreziqet shëndetësore — por rreziqet dhe efektet anësore nuk përjashtohen asnjëherë. \ DW

Artikuj të ngjashëm