Një formë e vitaminës B3 e ka përmirësuar funksionin kognitiv dhe fizik tek minjtë me simptoma të sëmundjes Alzheimer në eksperimente, raporton Instituti Kombëtar i Shëndetësisë (NIH) në SHBA, në një studim të ri.
Efektet e suplementit ribozidi nikotinamid, një formë kjo e vitaminës B3, kur u jepet minjve sugjerojnë për një metodë të re për trajtimin e sëmundjes së Alzheimerit, raportuan të martën hulumtuesit në Institutin Kombëtar për Plakje, një agjenci kjo e NIH, transmeton koha.net.
Në sëmundjen e Alzheimerit, aktiviteti i zakonshëm i trurit për riparimin e ADN-së është i dëmtuar, duke çuar në mosfunksionim mitokondrial, prodhimin më të ulët të neuroneve dhe rritjen e mosfunksionimit nervor dhe inflamacionit. Ribozidi nikotinamid, ose NR, i normalizon nivelet e dinukleotidit adenin nikotinamid, një metabolit ky vital për energjinë qelizore, vetë-rinovimin e qelizave burimore, rezistencën ndaj stresit nervor dhe riparimin e ADN-së.
Në studim, minjtë e trajtuar me NR treguan më pak dëme të ADN-së, neuroplasticitet më të lartë, rritjen e prodhimit të neuroneve të reja nga qelizat neuronale burimore dhe nivele më të ulëta të dëmtimit dhe vdekjes neuronale. Në zonën e hipokampusit të trurit, ku dëmtimet dhe humbja e vëllimit mund të gjenden në pacientët me dementi, shtimi i NR ose e pastroi dëmin ekzistues të ADN-së ose e parandaloi përhapjen e mëtejshme.
"Ne jemi të inkurajuar nga këto zbulime që sjellin një efekt në këtë model të sëmundjes Alzheimer," tha dr. Vilhelm Bohr, udhëheqës i ekipit ndërkombëtar të shkencëtarëve të NIH, në një njoftim për shtyp. "Po e presim me padurim testimin e mëtejshëm të mënyrës se si NR ose komponimet e ngjashme mund të ndiqen për përfitimet e tyre terapeutike për njerëzit me dementi".
Studimi, i publikuar të martën në Proceedings of the National Academy of Scientists, thotë se hulumtimi tregon se ndërhyrjet qelizore si NR duhet të studiohen për potencialin e tyre terapeutik për pacientët me Alzheimer.
-
Suplementi kundër dhimbjes së nyjave mund ta nxisë përparimin e Alzheimerit
-
Vitamina e zakonshme që mund të ndihmojë kundër kancerit agresiv të trurit
-
Pagjumësia mund të jetë një nga shenjat e hershme të Alzheimerit
-
Dieta që ul rrezikun nga sëmundja e Alzheimerit
-
Studimi i ri në minj: Spërkatësi për hundë mund të ngadalësojë zhvillimin e Alzheimerit