Lifestyle

Ushqimi i shpejtë, i yndyrshëm dhe i pashëndetshëm e ul dukshëm fertilitetin tek meshkujt

Foto: Ilustrim

Hulumtimi i fundit i shkencëtarëve nga Harvardi sugjeron se ushqimi i shpejtë dhe pijet energjike ndikojnë në uljen e numrit të spermatozoideve tek meshkujt, raporton CNN.

Në veçanti theksohet se numri i spermatozoideve tek meshkujt në Perëndim të cilët ushqehen me ushqim tipik të yndyrshëm mesatarisht është më i ulët për 25.6 milionë në krahasim me meshkujt të cilët ushqehen me peshk, mish pule, fruta dhe perime.

Besohet se mashkulli i cili i ka më pak se 39 milionë spermatozoide për ejakulim ose 15 milionë për mililitër ka problem i cili mund të shprehet përmes vështirësive gjatë fekondimit të qelizës vezë.

Theksohet se numri mesatar i spermatozoideve tek meshkujt në SHBA, Evropë dhe Australi në 40 vjetët e fundit ka rënë me 59 për qind. Arsyeja për këtë është me siguri ushqimi me cilësi më të dobët. Për ta studiuar ndikimin e ushqimit në numrin e spermatozoideve, shkencëtarët e kanë hulumtuar sjelljen e 3.000 meshkujve të cilët në mes të viteve 2008 dhe 2017 iu nënshtruan analizave mjekësore ushtarake.

Të ushqyerit me mish pule, peshk, perime dhe fruta shoqërohet me numrin më të madh të spermatozoideve, transmeton “Koha Ditore”. Pastaj pasojnë meshkujt të cilët konsumojnë ushqim vegjetarian, dhe pastaj ata që konsumojnë mish të përpunuar, drithëra, majonezë dhe produkte të qumështit.

Të ushqyerit me mish të kuq, patatina dhe produkte të tjera të mbushura me yndyra lidhet me numrin më të vogël të spermatozoideve. Meshkujt që shpesh hanë ushqime të tilla kanë 8.8 deri në 42.3 milionë më pak spermatozoide se ata që e shmangin ushqimin e shpejtë perëndimor.